Një nga të fortët bandës së Durrësit, Endrit Dokle do të qëndrojë në burg përjetë. Gjykatës Kushtetuese në vendimin e saj me shumicë votash i shuan shpresat anëtarit të bandës së Durrësit duke rrëzuar kërkesën e tij për shfuqizim të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe asaj të Gjykatës së Lartë.
Sipas kushtetueses, Dokles nuk i janë cënuar të drejtat në procesin e gjykimit ndaj tij dhe argumentat e paraqitura nuk përbëjnë shkak për shfuqizim dënimesh.
Më 2 shkurt 2017, Kushtetuesja mori në shqyrtim kërkesën e Endrit Dokles ku mbi bazë dokumentesh u vendos që kërkesa e tij të rrëzohet.
Vendimi ende nuk është bërë publik nga administrate e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa burime konfirmuan se është rrëzuar kërkesa e Endrit Dokles dhe brënda muajit mars vendimi do jetë i publikuar në faqen zyrtare të gjykatës.
Dokle u hetua e u dënua për një sërë krimesh mes tyre dhe tentativën për eliminimin e Lulzim Berishës, ish-kreut të Bandës ku dhe vetë Dokle ishte anëtar.
Prej datës 2 nëntor 2005 Dokle ndodhet në qeli ndërsa në vitin 2014 Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e tij për riçelje gjykimi duke lënë përfundimisht në fuqi dënimin me burg përjetë.
Dokle është i vetmi nga anëtarët e bandës së Durrësit i dënuar përjetësisht. Ndërkohë Lulzim Berisha i konsideruar si “truri” i bandës, është liruar me kusht pak kohë më parë.
Tani e vetmja shpresë për Endrit Doklen mbetet Gjykata e Strasburgut, ku ai me gjasë do ta çojë dosjen e tij.



