
Një shpërthim tritoli është raportuar mbrëmë në lagjen nr.4 në Durrës.
Korrespondentja e MCN nga Durrësi, Ervina Garo, bën me dije se lënda plasëse është vendosur në afërsi të banesës së Ilir Koçiljas, 35 vjeçarit i cili në 14 shkurt vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka pas sherrit për parkimin e makinës.
Në njoftimin e policisë thuhet se shpërthimi me lëndë plasëse ka ndodhur në pjesën e jashtme të dritares së banesës së Ilir Koçiljas, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Ne kemi siguruar pamjet teksa autori është filmuar nga kamerat e sigurisë përgjatë rrugës teksa shkonte për të vendosur lëndën plasëse në banesën e Ilir Koçiljas.
Shpërthimi i fuqishëm pos që ka shkaktuar panik te banorët sepse zhurma është dëgjuar edhe në zona tjera përreth, por ka shkatërruar edhe dëme të tjera materiale në automjetet e parkuara dhe në katet e para të banesave përreth. Sot ndërkaq banorët kanë pastruar mbetjet nga shpërthimi
Pista kryesore që po hetohet nga policia është ajo e hakmarrjes për shkak të ngjarjes së ndodhur rreth dy javë më parë.
Arrestimi i 35 vjeçarit Ilir Koçilja, u bë në qendër të qytetit të Durrësit, disa orë pasi kishte kryer krimin e rëndë. Ilir Koçilja u la në burg nga gjykata e Durrësit në 17 shkurt ndërsa në dëshminë e dhënë për ai u shpreh se kishte pasur konflikte me viktimën disa ditë para ngjarjes për shkak të vendparkimit në një rrugicë pranë pallatit ku banonin.



