Përmbytjet, Emergjencat Civile: 10 217 ha nën ujë, 3 337 banesa të përmbytura

Përmbytjet, Emergjencat Civile: 10 217 ha nën ujë, 3 337 banesa të përmbytura

Pavarësisht përmirësimit të motit gjatë orëve të fundit, rreziku nga uji mbetet ende prezent në disa zona të vendit. Në të gjithë vendin janë nën ujë 10 217 ha tokë, kryesisht në Fier dhe Vlorë. Prani uji ka edhe në 5 781 ha të tjerë. Deri tani janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1 552 qytetarë. Sipas raportimit të fundit të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrit, deri në mesditë janë regjistruar në të gjithë vendin 3 337 banesa të përshkuara nga uji dhe të përmbytura.

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme permanente në infrastrukturë, si prishjen apo dëmtimin e 28 urave dhe shumë pjesë aksesh rrugore.

Sipas Emergjencave Civile, dëme janë regjistruar edhe në shkollat e ciklit të ulët e si rrjedhojë të hënën nuk mund të rifillojë mësimi në 56 shkolla në mbarë vendin, ndërkohë që Ministria e Asimit bën të ditur se shkollat ku mësimi vijon të jetë i pezulluar janë vetëm 27.

Këshillat për qytetarët e zonave në rrezik:

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave u bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë situatës së reshjeve dhe përmbytjeve, duke pasur vëmendje sidomos në këto drejtime:

Kujdesi për jetën mbetet prioriteti i dorës së parë. Të gjithë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur udhëtimet në zonat e prekura nga reshjet, qëndrimin në afërsi të lumenjve e përrenjve, qëndrimin afër shtyllave apo objekteve të tjera të larta që mund të goditen nga shkarkesat elektrike etj.

Qytetarët që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që historikisht rrezikojnë përmbytje, duket të shtojnë kujdesin për jetën dhe të jenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me strukturat e emergjencave civile në rast të nevojës për evakuim të përkohshëm.

Kërkohet të shmangen në maksimum udhëtimet në këmbë apo me automjete në zonat e prekura apo me rrezik të prekjes nga përmbytjet.

Një rrymë uji rreth me thellësi rreth 20 centimetra mund të rrëzojë një kalimtar, ndërkohë që një rrymë më thellësi prej 30 centimetrash mund të rrëmbejë automjetin tuaj gjatë udhëtimit.

Duhet të shmangen në maksimum kalimet në urat e lumenjve me prurje të shtuar dhe rryma të fuqishme.

Në situata rrymash të papritura, duhet të kërkoni më shpejtësi një vend të lartë për t’u ruajtur.

Në se niveli i ujit në afërsi të automjetit tuaj rritet, por nuk lëviz, duhet të lini automjetin për të gjetur një vend më të lartë. Por, mos e braktisini automjetin për t’u futur në një rrymë të fortë uji.

Shmangni parkimin e automjetit në afërsi të lumenjve apo përrenjve gjatë reshjeve të rënda, pasi ato mund të përmbyten shumë shpejt.

Shmangni qëndrimin apo parkimin në rrugët që janë në buzë të lumenjve. Shpesh herë ujërat mund të gërryejnë bazamentin e rrugës, duke e bërë atë të rrezikshme.

Mbani të hapur radion apo televizorin për të marrë njoftimet që mund të jepen nga autoritetet kompetente.

Mbani në gatishmëri mjete e komunikimit, sidomos telefonat celularë, duke siguruar gatishmërinë e baterive;

Mbani në gatishmëri mjete të ndihmës së shpejtë, medikamente të domosdoshme, mjete ndriçimi etj..,

Futini në mjedise të mbyllura orenditë apo mjete të tjera që zakonisht i mbani jashtë. Mundësisht vendosini orenditë në pika të larta brenda shtëpisë për të parandaluar dëmtimin gjatë përmbytjeve;

Shkëputni sa më shumë pajisje elektrike nga rrjeti dhe mos i prekni ato nëse janë në lagështi ose nën ujë;

Kini kujdes nga goditjet elektrike që mund të vijnë nga rënia e telave të tensionit në pellgjet me ujë.

Njoftoni në numrin 112 apo në çfarëdo forme tjetër komunikimi për problemet që mund të keni.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy