Debati mbi ecurinë e sezonit turistik është rikthyer edhe këtë verë, mes pretendimeve për një ngadalësim të fluksit të vizitorëve dhe shqetësimeve për ndikimin e protestave, tensioneve në ngushticën e Hormuzit apo rritjes së çmimeve.
Megjithatë, operatorët turistikë Besnik Vathi dhe Arben Çipa vlerësojnë se deri më tani nuk ka prova që të flitet për një rënie të turizmit, por më tepër për pritshmëri më të larta të biznesit krahasuar me rezultatet aktuale.
Në emisionin “MCN Economy”, operatori turistik Besnik Vathi theksoi se perceptimi për një sezon më të dobët përsëritet pothuajse çdo vit në muajt qershor dhe korrik, ndërsa kulmi i turizmit mbetet muaji gusht.
Gjithmonë gjykojmë se qershori apo korriku janë nën pritshmëritë tona. Natyrshëm, këta muaj nuk janë si gushti, i cili mbetet pika kulmore e sezonit turistik në Shqipëri dhe zakonisht përmbush, madje edhe tejkalon pritshmëritë. Kjo është një temë që përsëritet çdo vit dhe unë besoj se kemi më shumë të bëjmë me një perceptim sesa me realitetin. Nuk mund të nxjerrim përfundime për të gjithë turizmin shqiptar duke u bazuar vetëm te përvoja e një biznesi apo e një zone të caktuar. Nëse një hotel nuk ka rezultatet që priste, kjo mund të lidhet me çmimet, mënyrën e promovimit, kontratat apo organizimin e vetë biznesit. Turistët nuk vijnë kur do biznesi, por kur ata planifikojnë pushimet e tyre dhe operatorët duhet të jenë të përgatitur për t’i tërhequr e për t’i pritur.
Ai solli në vëmendje edhe rritjen e vazhdueshme të fluksit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke e konsideruar atë një tregues pozitiv për zhvillimin e turizmit, por edhe një sinjal se infrastruktura duhet të përmirësohet.
Numri i lartë i fluturimeve në Aeroportin e Tiranës është domethënës. Sot ai është një nga aeroportet më të rëndësishëm në rajon, me fluks më të madh se aeroporte të tjera në Ballkan. Rritja e pasagjerëve është më e shpejtë sesa zhvillimi i shërbimeve mbështetëse, ndaj lidhja me tren apo përmirësimi i transportit do të ishte një përfitim i madh. Nga ana tjetër, ende nuk kemi studime të plota që ndajnë turistët e mirëfilltë nga pasagjerët tranzit. Megjithatë, unë mendoj se turizmi është rritur krahasuar me vitin e kaluar dhe perceptimi për rënie lidhet më shumë me faktin se pritshmëritë këtë vit kanë qenë shumë më të larta.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe operatori turistik Arben Çipa, i cili tha se turizmi po kalon një fazë transformimi, ku po ndryshon profili i vizitorëve dhe po zgjerohet interesi edhe për destinacionet jashtë bregdetit.
Prej rreth pesë vitesh ka ndryshuar tipologjia e turistëve dhe kjo kërkon një analizë të re. Në muajin qershor pati disa faktorë që ndikuan, si zhvillimi i kampionateve sportive, por efekti ishte i kufizuar, vetëm me disa pikë përqindjeje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se bizneset po falimentojnë apo se turizmi është në rënie. Përkundrazi, subjektet vazhdojnë të investojnë çdo vit duke u mbështetur te pritshmëritë për më shumë vizitorë. Kur këto pritshmëri nuk realizohen plotësisht, krijohet përshtypja se sezoni është i dobët. Në fakt, numri i turistëve vijon të rritet në të gjithë territorin shqiptar, ndërsa edhe veriu po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e paketave turistike të operatorëve të huaj.
Sipas tij, edhe pse mungon një ndarje e saktë statistikore mes turistëve dhe udhëtarëve tranzit, shumica e hyrjeve në vend i përkasin vizitorëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion pushimi.
Për aq kohë sa të huajt që hyjnë në territorin shqiptar nuk deklarojnë arsyen e udhëtimit, është e vështirë të bëjmë ndarjen e saktë mes turistëve dhe tranzitit. Megjithatë, bazuar në zhvillimin e tureve kulturore dhe kërkesën që kemi në treg, unë besoj se 60-70% e hyrjeve i përkasin turistëve të mirëfilltë. Kjo tregon se interesi për Shqipërinë vazhdon të jetë në rritje dhe se vendi po konsolidohet si një destinacion turistik në tregjet ndërkombëtare.



