Inxhinieri urbanist Gentian Kaprata tha në “MCN Economy” që procesi i legalizimit s’ka për të përfunduar as pas 10 vitesh, nëse nuk gjenden formula të guximshme nga partitë politike. Karpata tha që borxhi që shoqëria shqiptare u ka ish-pronarëve shkon në 40-50 miliardë euro. Karpata tha që “është një çmenduri të japë leje legalizimi kryeministri”, ndërsa vuri në dukje se pushteti vendor s’ka asnjë funksion në këtë proces, dhe e konsideroi një shaka vendimin e fundit të qeverisë.

"Pas 12 vjetësh diskutohet që a do mbyllet procesi i legalizimeve. Është një çështje që ka më shumë dimension politik, por ju siguroj që s’ka për të ndodhur as për 10 vjet të tjera, përfundimi i legalizimeve. Nuk mundet një vendim qeverie të fusë në lojë një institucion tjetër. Pushteti vendor s’ka asnjë funksion në procesin e legalizimeve. I gjithë vendimi i qeverisë është një shaka, zë vend te njerëzit që s’e njohin procesin.
PD në vitet e para të qeverisjes, ishin vetëm 10-12 mijë në tërësi, po të fusnim edhe Shkodrën shkonin 20 mijë. Nga viti 1998-2005 u bënë 230 mijë. Kur e la PD pushtetin kishte rreth 320 mijë ndërtime informale. Në 2022-shin numri ishte 500 mijë ndërtesa informale dhe shtesa informale. Në tërësinë e tyre sot janë 600 mijë. Procesi i legalizimit është shumë i gabuar, ka moralin e piramidave. Ne mund të jemi tërë jetën kështu. Gjithë ky fenomen do vazhdojë derisa të vijë një qeveri normale. Qeverisja e fazës së tretë 2005-2013 arriti të mbyllë vetëm 23 mijë legalizime. Ky proces kishte 7 faza, dhe 90 për qind ishin në fazën e parafundit apo të fundit. Nëse PD do qëndronte edhe 3-4 muaj në pushtet do mbaronte 70-80 për qind. Në një shtet normal duhet të ishte ngritur populli në luftë kundër dy qeverive.
Për legalizimet ka qenë shumë e thjeshtë, në gjithë botën ndërtesa legalizohet në emër të atij që e ka ndërtuar. S’ka lidhje ndërtesa me tokën. Ndërtimi informal legalizohet, njihet. Toka i takon pronarit të tokës. Pse duhet gjithë shoqëria të paguajë lekë sepse dikush ka ndërtuar shtëpinë në tokën e dikujt tjetër. Duhet të kishte revolucion në Shqipëri! Jemi në një sistem oligarkik, ku sa më afër pushtetit të rrish aq më shumë gjëra merr nga pushteti. Jemi duke shkuar te një qeverisje me një pushtet të gjerë dhe të koncentruar, që e përdorur për të mbajtur këto aleanca. Është një çmenduri të japë leje legalizimi kryeministri! Mund të shkojnë deri në 40-50 miliardë euro borxhe që shoqëria shqiptare u ka ish-pronarëve, nëse këto prona do kompensohen, se pronat fizike s’mendojmë se mund të kthehen ndonjëherë. Nuk gjej asnjë mundësi për të thënë kur do mbarojë procesi. Duhen gjetur formula të reja dhe të guximshme”.



