
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pritet të takojë sot ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ku do të diskutohet për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Takimi mes Haradinajt dhe Kosnett do të zhvillohet në zyrën e kryeparlamentarit Kadri Veseli, raporton “Zëri”.
Javë më parë, Veseli pati deklaruar për mediat se ka qenë iniciator për vendosjen e taksës 100 për qind, ndonëse deputetë të partisë së tij pas presionit të ndërkombëtarëve kanë filluar të ndryshojnë qëndrim rreth taksës.
Kreu i Qeverisë së Kosovës dje nuk ka dashur të komentojë nëse do të hiqet taksa ndaj mallrave serbe, ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. “Bora do të shkrihet dikur”, është përgjigjur Haradinaj.
Nga ana tjetër, presidenti Hashim Thaçi ka bërë apel që të tërhiqet taksa, pasi që, sipas tij, ajo po cenon marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Ndërkohë, deputet nga radhët e opozitës janë shprehur të bindur që taksa 100% ndaj produkteve serbe do të pezullohet, pas kërkesave që vijnë nga SHBA-ja.
Ndërsa analistët vlerësojnë që institucionet kosovare do të “dorëzohen” përballë presionit të SHBA-së që taksa të hiqet. Sipas tyre, kjo gjë nuk duhet të ndodhë pa u bërë e qartë se çka do të përfitojë Kosova nga ky kompromis.



