Dueli i parë dhe ndoshta i vetëm televiziv midis Kamala Harris dhe Donald Trump u organizua në Filadelfia, një qytet simbol i demokracisë amerikane dhe qendra e shtetit më të pasigurt, vendimtare për të fituar Shtëpinë e Bardhë.
Në një debat një orë e gjysmë u prekën shumë tema, nga ekonomia tek Ukraina dhe lufta në Gaza, duke kaluar nga e drejta e abortit, imigracioni dhe Afganistani.
“Unë nuk jam as Biden, as Trump, unë jam lider i një gjenerate të re”, deklaroi nënpresidentja e cila mbrëmjen e djeshme kishte për detyrë t’u prezantohej atyre miliona amerikanëve që nuk e njohin apo që e lidhin me administratën aktuale.
Kandidatja iu prezantua edhe rivalit së saj që dukej se nuk donte t’i jepte dorën, duke iu afruar dhe duke i thënë: Gëzohem që të njoha, Kamala Harris!
“Është koha për të kthyer faqen, plani im është një rrugë e re për të ardhmen”, nënvizoi zëvendësja e Biden, e cila u distancua për herë të parë nga presidenti i saj.
Trump shpalosi retorikën e tij, duke iu referuar Harris-it një marksiste që shkatërroi vendin me politika të çmendura. Po ashtu ai tha se Harris është një anti-izraelite që do të shkatërrojë vendin brenda dy viteve nga marrja e detyrës.
" Nëse ajo bëhet presidente, besoj se Izraeli nuk do të ekzistojë më brenda dy viteve", tha Trump.
"Konflikti në Rripin e Gazës nuk do të kishte filluar kurrë me Donald Trump ende president të Shteteve të Bashkuara", tha vetë manjati republikan gjatë debatit në ABC me sfiduesen e tij demokrate Kamala Harris.
Unë nuk kam asnjë lidhje me Projektin 2025. Kam krijuar një nga ekonomitë më të forta në histori dhe do ta bëj përsëri.
Këtë e tha Donald Trump, duke iu përgjigjur akuzave të Kamala Harris, e cila kujtoi lidhjen e manjatit me Projektin 2025, axhendë që përshkruan një skenar autoritar me kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë.
"Donald Trump i shiti çipat tona Kinës, praktikisht na shiti, për t'i dhënë Pekinit mundësinë për të forcuar ushtrinë e tij", tha Harris në debatin televiziv kundër kundërshtarit të saj republikan.
Një temë e nxehtë në duelin televiziv ishte dhe aborti.
"Qeveria dhe veçanërisht Donald Trump nuk duhet t'i thonë një gruaje se çfarë të bëjë me trupin e saj", tha Harris duke akuzuar manjatin për përhapjen e një morie gënjeshtrash për ndërprerjet e shtatzënisë.
Amerikanët besojnë se vendime të caktuara për liritë tona nuk duhet të merren nga qeveria.
Kandidatja demokrate presidenciale e SHBA-së, Kamala Harris, sulmoi sfiduesin e saj Donald Trump për dosjen e tij kriminale, në përgjigje të pretendimeve të tij për "krimet e emigrantëve", duke theksuar se këto akuza vinin nga dikush që është ndjekur penalisht për krime të sigurisë kombëtare, krime ekonomike, ndërhyrje në zgjedhje.
Trump u përgjigj duke përsëritur disa nga të njëjtat pretendime që ai ka bërë në të kaluarën për çështjet penale me të cilat po përballet, duke thënë se ato përbëjnë "militarizimin" e sistemit të drejtësisë.
Në debatin televiziv, Donald Trump akuzoi Joe Biden dhe Kamala Harris se nuk kishin guximin për t'i kërkuar Evropës, siç bëra ai për NATO-n, të paguajnë më shumë për Ukrainën në mënyrë që të barazojnë ndihmën amerikane.
"Ndoshta për pak sa nuk kam marrë një plumb në kokë për retorikën e tyre kundër meje, sepse më kanë vënë në dukje si kërcënim për demokracinë”, tha Donald Trump në debatin televiziv, duke akuzuar Joe Biden dhe Kamala Harris se kishin krijuar disi terrenin për sulm kundër tij. Manjati gjithashtu i akuzoi ata se e përdorin drejtësinë si armë kundër tij.
Në fund, Donald Trump pohoi se ai nuk kishte debatuar kaq mirë në jetën e tij duke akuzuar moderatoret e ABC news se ishin të njëanshëm.
Harris nga ana e saj kërkoi menjëherë një debat të dytë, një shenjë force dhe besimi.



