
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e sheh si shenjë pozitive për zgjidhjen e krizës takimin mes përfaqësuesve të Ukrainës dhe atyre të Rusisë, ditën e sotme në Stamboll. Në studion e lajmeve të MCN TV, Milo tha se ka këmbëngulje nga ana e Rusisë për të maksimalizuar pritshmëritë e saj, pse jo edhe një status për Krimenë.
Pashë që ka skepticizëm nga Shtëpia e Bardhë. Biden dhe Blinken shfaqën një lloj dyshimi. Thanë duam vepra dhe jo fjalë. Parë në këndvështrim të përgjithshëm, fakti që të dy palët po bien dakord për 2-3 çështje tani është një shenjë pozitive që mund të thellohet tani. Jo vetëm çështja e neutralitetit të Ukrainës por edhe statusi i saj si vend jo mbajtës i lëndëve bërthamore më duket se është rënë dakord. Por kjo varet nga ajo që certifikohet nga dy ministrat e Jashtëm që do të takohen.
Mendoj që ende nuk janë përvijuar qartë kërkesat. Negociatorët në tavolinë nuk janë fuqiplotë. Ata duhet të marrin miratimin e Putinit nga njëra anë dhe Zelensky nga na tjetër. Shoh që do të ketë këmbëngulje ruse për të maksimalizuar pritshmëritë e saj, pse jo edhe një status për Krimenë. Çështja e neutralitetit të Ukrainës pothuajse është zgjidhur. Zelensky ka deklaruar se nuk pretendon anëtarësimin në NATO dhe nuk do të bëjë përpjekje për t’u pajisur me armë bërthamore. Duke parë faktin që Rusia arriti të mënjanojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO, atëherë shtrohet pikëpyetja: Pse u bë gjithë kjo luftë. Para saj Ukraina këmbëngulte që ishte e drejta e saj, ndërkohë që Rusia pretendonte se prania e NATO-s në Ukrainë cenon sigurinë e saj. Tani negociatat po japin shenja se po ecet përpara. Por mbetet për t’u parë se deri ku do të arrihet.



