
Endometrioza është një çrregullim i dhimbshëm gjinekologjik, ku indi që zakonisht rritet brenda mitrës (endometri), fillon të zhvillohet jashtë saj.
Në një intervistë për emisionin “Zgjohu me MCN”, gjinekologia Mimoza Keta shpjegon në detaje simptomat, shkaqet dhe trajtimet e mundshme të kësaj sëmundjeje, e cila prek një numër të madh grash, shpesh pa e ditur se vuajnë prej saj.
Një nga format më të zakonshme të endometriozës janë të ashtuquajturat “kiste çokollatë” që marrin këtë emër për shkak të ngjyrës së errët të gjakut të vjetër që grumbullohet brenda tyre.
Këto kiste zakonisht formohen në vezore dhe shoqërohen me dhimbje të forta gjatë ciklit menstrual.
Ky ind i vendosur në vende të tjera të trupit, si vezoret, tubat fallopiane, zorra e trashë apo fshikëza e urinës, reagon ndaj ciklit menstrual njësoj si indet brenda mitrës duke u trashur, gjakosur dhe më pas degraduar por pa mundur të dalë jashtë trupit.
Gjatë ciklit menstrual, dy janë hormonet kryesore që ndikojnë: estrogjeni dhe progesteroni. Në një cikël 28-ditor, estrogjeni rritet në ditët e para dhe më pas fillon të bjerë, ndërsa rritet progesteroni.
Në disa raste, qelizat endometriale kalojnë përmes tubave fallopiane dhe përfundojnë në zgavrën e barkut, ku mund të formojnë kiste që reagojnë ndaj çdo cikli menstrual.
Simptomat më të shpeshta janë dhimbje shumë të forta gjatë menstruacioneve, dhimbje në marrëdhënie seksuale, gjakderdhje të çrregullt, probleme me fertilitetin, fryrje barku ose shqetësime gastrointestinale
Shumë gra dhe vajza qëndrojnë të shtrira në shtëpi nga dhimbjet, që shpesh nuk lehtësohen as me ilaçe. Në këto raste, është e domosdoshme të konsultoheni me një mjek për një diagnozë të saktë.
Disa studime sugjerojnë se endometrioza mund të ketë komponentë gjenetikë, ndaj nëse një femër në familje ka vuajtur nga kjo sëmundje, ekziston rreziku më i lartë që ajo të shfaqet edhe te gjeneratat e tjera.
Gjinekologia Keta shpjegon se ekzistojnë dy forma kryesore trajtimi për këtë sëmundje.
Eksitojnë dy forma trajtimi për këtë sëmundje, trajtimi me ilaçe hormonale për të ndaluar zhvillimin e indit të padëshiruar dhe për të lehtësuar simptomat si dhe ndërhyrja kirurgjikale për të hequr kistet dhe indet endometriale të vendosura jashtë mitrës, veçanërisht në rastet kur ato ndikojnë në fertilitetin apo jetesën e përditshme të pacientes.



