
Rreth 7 vjet pas luftës në Libi, ku kryengritësit rrëzuan nga pushteti dhe vranë diktatorin libian, Muamar Gaddafi, i biri po përpiqet të ngjitet në pushtet. Saif Al-Islam pritet të kandidojë për president në zgjedhjet që mbahen sivjet.
Djali i dytë i Gaddafit, i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare për akuzën e krimeve kundër njerëzimit, kërkon të fitojë garën presidenciale, që do të zhvillohet para fundit të vitit. 45-vjeçari aktualisht fshihet në Tunizi. Ai e ka nisur fushatën si anëtar i Froniti Popullor për Çlirimin e Libisë.
"Saif al-Islam Gaddafi ka vendosur të garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe nuk aspiron pushtetin në kuptimin tradicional të fjalës”, tha një zëdhënës i partisë së tij.
Kandidatura e Gaddafit do të regjistrohet zyrtarisht me hapjen e regjistrimeve për zgjedhjet presidenciale. Zëdhënësi i partisë tha se ai do të shpëtojë Libinë dhe të vendosë paqen e stabilitetin në vendin e shkatërruar nga lufta.
Rënia e Muamar Gaddafit nga pushteti pasoi me trazira politike në vend, ku luftohet për kontrollin e vendit të pasur me naftë. Aktualisht, Libia është e ndarë mes parlamentit me bazë në Tobruk dhe qeverisë së Tripolit që mbështetet nga OKB-ja.
Vakumi i krijuar në pushtet pas rënies së Gaddafit dhe ndëryrjes së NATO-s në vitin 2011, ka bërë që të hapet terren për grupet terroriste, si Al Qaeda dhe Shteti Islamik. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



