Gjermani, Polonia dhe Suedia njoftuan në mënyrë individuale secila masën e tyre në kundërpërgjigje të dëbimit të ambasadorëve të tyre nga Moska. Të tre vendet kanë shpallur “non grata” diplomatët rusë.
Ministria e Jashtme gjermane tha në një deklaratë se vendimi i Rusisë javën e kaluar për të dëbuar një diplomat gjerman "nuk ishte në asnjë mënyrë i justifikuar".
Moska pretendon se diplomatët e tre vendeve evropiane që ajo dëboi morën pjesë në demonstrata të paligjshme në mbështetje të kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny.
"Diplomati gjerman në fjalë kishte ushtruar thjesht funksionin e tij në përputhje me Konventën për Marrëdhëniet Diplomatike të vëzhgimit të zhvillimeve në Rusi me mjete të ligjshme," tha qeveria gjermane.
Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, tha në Twitter se diplomatit rus "i kërkohet të largohet" në "përgjigje të qartë ndaj vendimit të papranueshëm për përjashtimin e një diplomati suedez, i cili po kryente vetëm detyrat e tij".
Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë e përshkroi dëbimin e diplomatit të saj si "të pabazë" dhe se vendimi i saj për të përjashtuar një diplomat nga Konsullata Ruse në Poznan është "në përputhje me parimin e reciprocitetit".



