
Pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë edhe një amnisti për periudhën e luftës në Kosovë. Gazeta “Koha ditore”, e cila citon burime diplomatike, shkruan sot se një propozim i tillë është bërë nga zyrtarët në Prishtinë, dhe se ekziston një nivel i gatishmërisë në mesin e negociatorëve edhe në Kosovë, edhe në Serbi, që një gjë e tillë edhe të realizohet.
Sipas burimeve diplomatike, një amnisti e tillë mendohet të vlejë për të dyja palët e përfshira në luftën e Kosovës, ndërsa si rezultat i saj do të mundë të jetë edhe zhbërja e Gjykatës Speciale.
Presidenca ka konfirmuar tërthorazi se mund të ketë amnisti. Qeveria dhe partitë në pushtet nuk kanë pranuar të komentojnë, ndërkaq opozita është kundër.
Presidenti Hashim Thaçi është në krye të ekipit negociator të Kosovës për marrëveshjen finale me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në takimin e ftuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, janë diskutuar modalitetet e marrëveshjes finale, të cilat ende nuk janë bërë publike.



