Në studion e MCN Informacion u diskutua në lidhje me universitetet në Shqipëri. Kolindo Vjerdha, nga Qëndresa Qytetare, tha se zhvillimi i rajoneve do të bëjë të mundur decentralizimin e universiteteve.
Edhe Florian Bjanku, profesor i së drejtës, tha se nuk duhet të fokusohet gjithçka në Tiranë.
Kolindo Vjerdha
Në Tiranë, jo më larg se 5-6 vite më parë janë premtuar kampuse studentore. Ka pasur ide të hedhura në tryezë për ndërtimin e disa kampuseve. Sot akoma nuk e kemi një të tillë në kryeqytet.
Te centralizimi ndikojnë disa faktorë. Një pjesë e universiteteve janë në Tiranë dhe kjo ndikon për të orientuar tregun. Arsimin duhet ta marrim në disa dimensione. Së pari kemi dy sfida: lëvizjet demografike. Ana tjetër janë perspektivat e zhvillimit ekonomik. Pra a ka perspektivë zhvillimi një student në një qytet tjetër. Qendrat më të mëdha të zhvillimit janë në Tiranë. Pra, duke ardhur dhe studiuar në kryeqytet, katapultimi në këto biznese dhe institucione është më i lehtë. Ndaj duhet zhvillimi i rajoneve.
Florian Bjanku
Përgjegjësia lidhet me politikat që janë ndjekur në Shqipëri përgjatë viteve. Fokusi te numrat dhe jo te cilësia kanë sjellë një garë mes universiteteve për të marrë studentë. Kjo nuk ka lidhje direkte. Sistemi duhet të marrë në konsideratë edhe universitetet private. Shihet si një formë aktiviteti tregtar sesa një aspekt që lidhet me cilësinë e studentëve. Duhet marrë në konsideratë decentralizimi, që të mos fokusohet gjithçka në Tiranë.



