
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të gjejë një zgjidhje të përkohshme, lidhur me çështje të caktuara që kërkojnë të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë.
Në mbledhjen e së martës, ky këshill vendosi që të delegojë gjyqtarë nga nivelet e ulëta, për çështje që lidhen me gjykimin e çështjeve gjyqësore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja, ekskluzivisht me ekstradimin dhe transferimin e personave të dënuar.
Gjykatës së Lartë i duhet të paktën 3 gjyqtarë, për të formuar trupën gjykuese që do të merret mbi të gjitha me shqyrtimin e ekstradimeve dhe transferimin e persosnave të dënuar, që shumë shpejt ju mbarojnë edhe afatet.
Që të formohet kjo trupë, gjyqtarët e deleguar duhet të kenë së paku eksperiencë 13-vjeçare, si dhe të kenë kaluar vetingun.
Pak kohë më parë, një propozim të tillë e paraqiti edhe Euralius si një zgjidhje e përkohshme për shqyrtimin e dosjeve në Gjykatën e Lartë.



