Kreu i PD-së dhe ai i PS-së e kanë nisur ditën me një debat virtual lidhur me situatën e krijuar në vend nga pandemia. Kreu i selisë blu e akuzon kryeministrin se e ka humbur kontrollin e situatës.
“Ja çfarë thonë familjarët e të sëmurëve. Faktet flasin vetë dhe tregojnë të vërtetën ashtu siç është. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama e humbi kontrollin ndaj pandemisë dhe po shkatërron jetët dhe shëndetin e familjeve shqiptare”, shkruan Basha, duke i bashkëngjitur postimit një video në të cilën qytetarët shprehen të pakënaqur me shërbimin shëndetësor në spitalet Covid.
Ndërsa kryeministri Rama, në përgjigje të këtij mesazhi, thotë se opozita nuk ëshë bashkëpunuese.
“Një opozitë që as në një sëmundje që bie një herë në shekull nuk gjen dot forcë të bëhet bashkë me shumicën nuk i duhet as dreqit e jo më popullit shqiptar!”, shkruan Rama.
Ndërsa Basha kundërpërgjigjet duke i cilësuar propagandë false ato që thotë Rama, ndërsa shton se plani me 5 pika që i paraqiti qeverisë para disa kohësh do ta kishte ndryshuar situatën.
“Rama je një dështim i madh. Sa shqiptarë duhet të vdesin që të ndalësh sulmet politike dhe përpjekjet për të na mbyllur gojën? Po të më kishe dëgjuar që para 6 muajsh, do t’ju kishe dhënë ndihmë financiare familjeve shqiptare dhe sot do të kishe një plan real kundër pandemisë. Askush nuk e përtyp propagandën tënde fallso. Shëndetësia është në kolaps, të sëmurët nuk kanë pará për të blerë barnat e shtrenjtuara dhe ekonomia është në krizë. Ne do ta shërojmë Shqipërinë, do t’i korrigjojmë dështimet e tua dhe do të sjellim shpresë të re për njerëzit”, shkruan ai.



