Një vendim shumë të drejtë dhe që e vendos Beogradin para përgjegjësisë, e konsideroi ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Paskal Milo atë të BE-së, që zyrtarisht vendosi të kushtëzoi integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Milo tha "Serbia ka kryer një autogol" në lidhje me votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave në Veri.
Sipas Milos Beogradi ka hesape të tjera, ku kërkon që të mbajë vazhdimisht një situatë të tensionuar në funksion të pretendimeve të saj të parealizueshme me Kosovën.
Është një vendim shumë i drejtë, që ka qenë i paralajmëruar prej javësh. Kjo vjen se Serbia përkundrejt angazhimeve që mori në takimet e Brukselit dhe anekset e marrëveshjes së Ohrit, i shkeli këto marrëveshje dhe jemi në një situatë kolapsi sa i përket të ashtuquajturi dialog, që mund ta konsiderojmë ‘dialog mes shurdhësh’. Nuk mund të themi nga të dyja palët sepse qeveria e Kosovës vazhdimisht që është në respekt të marrëveshjeve për të cilat kanë rënë dakord, por kjo s’mjafton sepse Serbia nga një anë u dakordësua për një çështje të tillë, siç ishte zgjedhja e kryetarëve të komunave, dhe kur qeveria e Prishtinës pranoi që të ndiqej një procedurë e tillë, për shkarkimin e kryetarëve, tani është Serbia që kërkon ta bllokojë procesin, sepse ka hesape të tjera. Hesapi kryesor që Serbia llogarit, është që ta mbajë situatën e tensionuar. Sepse po qe se bëhen zgjedhjet dihet që do fitojnë kandidatët serbë, dhe i bie Serbisë argumenti që ‘shiko ç’zgjedhje janë bërë’. Në momentin që atje do vendosen kryetarë serbë, atëherë i bie argumenti. Serbia do rrëmujë, krizë, sepse kështu noton më mirë në pretendimet që ajo ka, natyrisht të parealizueshme me Kosovën. I intereson edhe në raport me rajonin, pse jo, mund të themi pa frikë edhe në sintoni me Rusinë, që kërkon që Ballkani Perëndimor të destabilizohet, që të shfrytëzohet prej tyre për një zgjidhje totale, globale.
Vuçiç e bën qëllimisht që s’i lejon serbët të votojnë për shkarkimin e 4 kryetarëve, sepse do të bëjë një pazar, mes çështjeve që kanë mbetur pezull dhe normalizimit të marrëveshje. Ka marrë një vendim shumë të drejtë BE, që ka vendosur si kusht të panegociueshëm, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në bazë të termave të Aneksit të Ohrit. Nuk do të vijë shpejtë kjo që palët të ulen në tryezë për firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit. Me veprimin që u pengua votimi për shkarkimin e 4 kryetarëve, u pa qartë që është Beogradi që kërkon të destabilizojë situatën. Kosova është në një moment kur po mban qëndrim bashkëpunues, dhe është Beogradi që tregon që është faktori kryesor që s’lejon që dialogu të ecë përpara. Borrell dhe Lajçak janë në vende me përgjegjësi dhe delikate, ku s’është kollaj të arrish objektivat, por është po kaq e dukshme se ata kanë dështuar në misionin ndërmjetësues. Problemi është kanë dështuar ata si persona, apo BE? Është e vështirë të ndash përgjegjësinë mes Borrell, Lajçak, dhe BE si institucion. Unë them se këtu më shumë duhet ngarkuar BE si e tërë, sepse ata mund të mos jenë më në të ardhmen. Ama duhet të shohim, a do ndryshojë gjë, apo është në tërësi politika e BE e tillë, që kërkon të arrijë nëpërmjet kompromiseve, ndonjëherë jo të shëndetshme, zgjidhje të përkohshme. Në horizont shihet që Serbia është vënë para përgjegjësisë, pasi iu dha dora, por me këtë veprim që kreu ka kryer autogol. Beogradi patjetër e ka pritur keq vendimin e BE, pasi kjo i kushtëzon patjetër anëtarësimin. Nëse deri tani ishte thënë në mënyrë deklarative, ky është një qëndrim zyrtar i BE, që ia bën të qartë Beogradit që s’do hyjë në BE pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Lidhur me akuzat e Shqipërim Arifit, i cili tha se vendimi u mor nga Vuçiçi, në bashkëpunim me Kurtin, Milo tha:
"Ndonjëherë deklarata të tilla bëhen edhe në momente delikate, ku njeriu mund të humbasë ekuilibrin dhe të lëshojë deklarata emocionale. Nuk besoj se z.Kurti i ka dhënë arsye që mund të besohet që mund të bashkëpunojë me Vuçiçin për të shkarkuar këtë kryetar”.



