Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministri i Energjetikës dhe Industrisë Damian Gjiknuri, inspektoi rafinerinë, pas kalimit të saj në administrim të ri. Duke folur para të pranishmëve, Rama tha se zgjidhja e problemit të pagesës së punëtorëve ka qenë kushti kryesor në tryezën e negociatave me drejtuesit e rinj. “Ajo që gjetëm ne ishte faktikisht, një situatë e tmerrshme ku jo vetëm rafineria nuk punonte më, por edhe ju kishit kaluar muaj e muaj pa marrë asnjë cent. Në fakt këta shokët më treguan edhe përpëlitjet për të ushqyer familjen me lista nëpër dyqanet e zonës. Kur ne kemi negociuar me këta investitorë, që dolën më të vendosurit dhe më seriozët për ta çuar këtë punë përpara, sepse kemi pasur gjithfarëlloj takimesh, gjithfarëlloj përpjekjesh, kushti ka qenë që ditën e parë, gjithë këtyre njerëzve siç ia premtova ju në takim, i duhen paguar rroga e prapambetur dhe duhen siguruar.”
Ndërsa ministri Gjiknuri u shpreh se rivënia në punë e kësaj rafinerie ka qenë një nga sfidat e qeverisë. “Kjo rafineri ka një histori të dhimbshme, një privatizim të dështuar, një faliment të një kompanie private dhe lënia jashtë çdo lloj interesi, jashtë çdo lloj vëmendjeje të të gjithë njerëzve, të cilët e kishin lidhur fatin me këtë rafineri. Një nga sfidat që kishim si qeveri ishte rivënia në punë e përpunimit të naftës në vend, për arsye nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha për punësimin e njerëzve dhe për ta mbajtur këtë aset strategjik që edhe Shqipëria, si shumë vende të tjera që kanë naftë, të ketë mundësi të prodhojë naftë. Megjithëse ky është një biznes privat, ne nuk mund të mbyllnim sytë ndaj një problemi të madh social dhe detyra jonë dhe Kryeministri Edi Rama është investuar personalisht që rafinerisë të mos i mungojë nafta. Vetëm biznesi që është rreth kësaj rafinerie, zinxhiri që nga furnizimi dhe pjesa tjetër prodhimi janë disa qindra milionë dollarë që janë pjesë e ekonomisë shqiptare”, u shpreh ministri.
Uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh ka rifilluar punën me kapacitet të plotë. E shtrirë në 104 hektarë dhe me një histori të gjatë që prej ndërtimit në vitin 1978, rafineria prej mëse një viti kishte mbyllur dyert si rezultat i falimentimit të kompanisë, pas një privatizimi të dështuar të bërë nga qeverisja e kaluar. Rafineria e Ballshit vlerësohet një aset strategjik në industrinë e naftës. Mbyllja e saj u kthye edhe në një plagë sociale, duke lënë të papunë mijëra banorë të zonës.



