Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me deklaratat e tij nga Nju Jorku në adresë të ish-ministrit të Arsimit, Et’hem Ruka. Rama I ka dërguar një letër gazetës “Panorama”, ku shprehet se ka bërë thjesht humor me mikun e tij Ruka, ndërsa gazeta e ka trajtuar si një denoncim publik si “hajdut pikturash” për ish-ministrin Ruka, koleg me Ramën në qeverinë “Nano”.
Reagimi i kryeministrit Rama për “Panorama”
Zoti Kryeredaktor, Nuk e imagjinoj dot se si një rrëfim me humor, në një kontekst ku realisht nuk kishte asnjë shteg për një keqkuptim sado të vogël, të shtrembërohet deri në derexhenë, ku gazeta juaj e ka katandisur përshkrimin bërë nga unë, të një aspekti krejt miqësor të marrëdhënies sime me ishministrin e Arsimit Et’hem Ruka, në kohën kur shërbenim që të dy si anëtarë qeverie. S’e kam zakon të përgënjeshtroj të pavërtetat që thuhen e shkruhen në tezgat e pazarit të rrëmujshëm të mediave, për mua personalisht, apo për çdo aspekt të aktivitetit tim publik.
Ato janë të panumërta e të përditshme. Por banaliteti ekstrem me të cilin ju keni kthyer në një denoncim të rëndë publik, madje si titull kryesor të ditës(!), një rrëfim me humor, lidhur me ministrin dhe mikun tim të vjetër, që “vidhte” vizatimet e mia, ma bën të pamundur heshtjen. Duhet t’ju vijë shumë zor për një budallallëk me brirë të këtyre përmasave zoti kryeredaktor, dhe pres prej jush, as më shumë e as më pak, po ndjesën tuaj në të njëjtën faqe, me të njëjtat germa të mëdha, edhe pse ndoshta as kjo nuk do të mjaftonte për ta shlyer një lajthitje kaq ekstreme në sytë e lexuesve tuaj! Me shpresën se ju do të reagoni pozitivisht ndaj kërkesës sime dhe me ftesën që, në fund të fundit, ta konsideroni këtë reagim si shprehjen e madhe të habisë sime ndaj një gazete, që është ndër fare të paktat tribuna të shtypit, që nuk e ka bërë baltë fare rolin publik të medias, ju uroj sinqerisht sukses në punën tuaj aspak të thjeshtë.



