Kryeministrja Theresa May insistoi se projekti i saj i Brexit ishte plan në interesin kombëtar, pasi ajo u sulmua në Parlament për qeverisë së saj dhe për largimet e fundit në kabinet.
May tha se plani është e vetmja mënyrë për të shmangur një "kufi të rreptë" me Irlandën dhe për të ruajtur lidhjet me Brukselin.
Duke folur para Parlamentit britanik, May tha se programi i saj, i cili do të lejojë lëvizjen e lirë të mallrave, por jo të shërbimeve, është "Brexit-i i duhur", sepse mundëson shmangien e kontrolleve në kufirin midis Irlandës, pjesë e Bashkimit Evropian, dhe Irlandës Veriore - pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.
May tha se Brukseli duhet të shohë përtej pozicionit aktual që ka me Britaninë, ndërsa pranoi para Parlamentit se dalja nga unioni pa një marrëveshje është një mundësi për të cilën vendi duhet të përgatitet.
Nivelet e integrimit të Britanisë me tregun e përbashkët të BE-së, pas Brexit-it, dhe natyra e kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës kanë qenë ndër çështjet më të vështira në negociatat e deritashme për Brexit.
May mbrojti planin e saj tregtar “post-Brexit”, që solli largimet nga qeveria, ndërsa shtoi se ai është gjithashtu sfidues edhe për Bashkimin Europian.
Presioni ndaj Johnsonit ishte rritur ndjeshëm, pasi një natë më parë, dorëheqjen nga kabineti e dha David Davis, Sekretari për “Brexit”, me justifikime të njëjta. Megjithatë, kryeministrja Theresa May, gjatë fjalës së saj në Parlament pati veç lavde për dy ministrat e larguar, pavarësisht reagimit që kjo shkaktoi në sallë (të qeshura).
“Për sa i takon ‘Brexit’-it, dua të falënderoj miqtë e mi Davis dhe Johnson për punën që kanë bërë gjatë dy viteve të fundit. Ne nuk jemi dakord për rrugën më të mirë ndaj angazhimit tonë të përbashkët, për të respektuar rezultatin e referendumit, por dua të vlerësoj punën që dy ish-ministrat kanë bërë”, tha Theresa May.
Komisioni Evropian nuk pranoi të komentojë mbi dorëheqjet e Davis dhe Jonhoson, por Donald Tusk, kryetari i Këshillit Evropian, tha se shpresonte që një ndryshim në fytyrat mund të çonte në një ndryshim në politikë.



