
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Mediave, i ka dërguar një letër publike kreut të AKEP-it, Ilir Zela, të cilit i kërkon pezullimin e urdhrit për regjistrimin e portaleve në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe publikimin e nipt-it në faqet e tyre.
Vokshi e cilëson urdhrin në shkelje të ligjit për komunikimet elektronike dhe lirisë së shprehjes.
Në një postim në “Facebook”, Vokshi shprehet se PD-ka do të jetë në krah të medias, përballë asaj që ajo e quan përpjekje për censurë shtetërore nga ana e kryeministrit Rama.
“Urdhri i datës 15 Tetor i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për regjistrimin e portaleve online në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe publikimin e NIPT-it në faqet e tyre është:
- në shkelje të hapur të kompetencave që i njeh ligji për komunikimet elektronike;
- në është shkelje flagrante të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, të garantuara nga neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Si kryetare e Komisionit Parlamentar për Median i kam kërkuar zyrtarisht kryetarit të AKEP-it pezullimin e menjëhershëm të këtij urdhri antikushtetues dhe antiligjor.
Partia Demokratike mbetet e vendosur në mbrojtje të lirive dhe të drejtave themelore - siç është liria e shprehjes dhe e medias - përballë censurës shtetërore që do të instalojë Edi Rama”, shkruan Vokshi.



