Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për media, në krah të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, ku u shpreh se PS nuk po i bën presion drejtësisë, por po kërkon hetime dhe jo dënime. Rama kërkoi edhe një herë sot hetimin e ngjarjeve si “21 janari” dhe “Gërdeci”, duke akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha.
Kujtoj këtu për të gjithë ata që kanë harruar se i kemi mbështetur veprimet e SPAK-ut pa asnjë ekuivokë. E kemi bërë të qartë qysh në krye të herët dhe e kemi treguar me qëndrimin tone se për ne nuk ka të paprekshëm, dhe çdokush në radhët tona që me drejtësinë ka një çështje të hapur, derën e kësaj partie e kanë të mbyllur. Nëse sot ish-ministra, ish-deputetë, ish-kryetarë bashkie, ish-drejtorë, tani janë prapa hekurave, përtej faktit që fajësia pritet të provohet në gjykatë, ky është rezultat i një fakti kokëfortë dhe historikë që është se as unë dhe askush nga ne s’jam angazhuar në rrugën e kësaj reforme as për të dhënë një gjë dhe bërë një tjetër, as për ta sulmuar politikisht drejtësinë. Prandaj garancia se drejtësia mund të hyjë lirisht në oborrin e PS-së dhe të bëjë drejtësi për këdo që e turpëron këtë parti jemi ne, ne këtu. Është çështje zgjedhjeje, jo imponim nga Amerika apo Europa. E kemi bërë si detyrim ndaj fëmijëve tanë, duke i hyrë detit në këmbë. Ta kenë të qartë të gjithë, shqiptarë, ndërkombëtarë, gazetarë, se kjo parti është i vetmi subjekt në këtë vend, që as nuk i ka bërë, as nuk i bën, as s’do t’i bëjë ndonjë presion drejtësisë.
Të kërkosh më shumë nga drejtësia kur Vetingu po bën 5 vjet, SPAK-u 3 vjet, s’do të thotë të bësh presion. Përndryshe çfarë do të duhet të thoshim për deklaratat e SHBA dhe BE, ku është kërkuar hapur, nominalisht ndëshkimi i politikanëve dhe gjyqtarëve të korruptuar. Presion mbi drejtësinë?! Sipas meje jo. Ça presioni është të kërkosh hetimin e një ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri të shpallur non grata nga SHBA me akuzat më të rënda të mundshme?! Unë nuk kam kërkuar dënim, por hetim. Dënimin s’e vendosim ne. Por të hetohet një çështje që është gur në qafë për Shqipërinë, është domosdoshmëri. Që drejtësia është e pavarur kjo s’ka pikë diskutimi, se po mos ishte sot s’do ishin pas hekurave ish-ministra, ish-kryebashkiakë të lidhur me këtë parti në pushtet. Drejtësia e pavarur të çlirohet nga çdo frikë dhe kompleks i të kaluarës dhe më në fund të hetohet 21 janari, të hetohet Gërdeci, disa skandale të mëdha financiare dhe korruptive”.



