IKMT dhe IMT-ja e Vlorës po shembin sot dy ndërtime pa leje në zonën e Orikumit, një restorant dhe një objekt me 10 dhoma pushimi. Pronarët e objekteve kanë bërë rezistencë, duke pretenduar se janë në një proces gjyqësor me ASHK. Korrespondentja e Mcn Tv bën me dije se aksioni pritet të vazhdojë edhe me objektet e tjera.
“IKMT në bashkëpunim me IMT-në e Vlorës janë stacionuar mëngjesin e sotëm në Orikum, ku në fokus ka qenë shembja e dy objekteve, të skualifikuara nga procesi i legalizimit. Por sipas pronarëve të tyre objektet janë në proces gjyqësor me ASHK. Pronarët s’kanë marrë asnjë njoftim zyrtar për shembjen e objekteve.
Bëhet fjalë për një restorant dhe një objekt me 10 dhoma pushimi, në pronësi të Emanuela Xhanaj. Është dashur ndërhyrja e Policisë, pasi Emanuela Xhanaj dhe persona të tjerë kanë penguar punën e IMT. IMT ka kërkuar edhe ndërhyrjen e OSHEE për të shkëputur energjinë elektrike. Pas një rezistence vet pronarët e objekteve kanë zhvendosur objektet. Burime bëjnë me dije se aksioni i IMT do vazhdojë në Orikum, pasi objekte të tjera janë konstatuar se do përfshihen në aksionin për shembjen e objekteve”.



