Nga Ina Gjonçi
Dua feston shqip
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare ka uruar ditën e Flamurit dhe ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Mëngjesin e sotëm, ajo ka publikuar në Instagram një foto, të cilën e ka shkëputur nga performanca e saj në “Sunny Hill”, ku shfaqet e mbuluar me flamurin kuq e zi.
Ky është lajmi që na tronditi zemrat. Dua feston shqip. Unë kam jetuar edhe kohën kur mendohej që Michael Jackson ishte shqiptar nga një origjinë e largët, e panjohur dhe sigurisht e pavërtetuar, ndaj e njoh mirë gëzimin tonë në raste të tilla. Nuk e di pse ndihemi të përfaqësuar nga artistë që jetojnë nëpër botë, kanë sukses nëpër botë, por shteti ynë - e thënë mes nesh-ndonjë meritë për këtë nuk ka. Nejse... Rëndësi ka që Shqipëria promovohet mirë nëpër botë, ndërkohë që ne vazhdojmë lojën e qëndresës.
Spitalet në Angli/ Vaksina antiCovid vjen për 10 ditë
Spitaleve në Angli u është thënë të përgatiten për të marrë vaksinën e koronavirusit brenda 10 ditëve të ardhshme, me punonjësit e shërbimit kombëtar të shëndetësisë që do të jenë të parët që do të vaksinohen.
Hm... me gjithë këtë strategji të qeverisë për kalitje e me gjithë sfidat që kalojmë në lojën Surviver, pyesim veten mos vaksina te ne do vijë më parë. E meritojmë se ne si shtet me rrogë mesatare 350/400 mijë lekë të vjetra, ia kemi dalë të bëjmë tamponë me para’ xhepi, të rrimë në karantinë qoftë edhe pa rrogë, të vuajmë te infektivi, t’i fshihemi tamponit, të shohim mbyllur bizneset...Pas gjithë kësaj sfide kaluar me sukses, meritojmë diçka? Si? Jo? Aha, vazhdon kalitja!
Secili hallin e vet...
Karantinë, mbyllje...si dhe emisione TV ku flitet për karantinën e për mbylljen. Pronari i një lokali nate - ndër lokalet më në zë në kryeqytet- ankohej për orarin e mbylljes dhe penalizimin e jetës së natës, në një panel televiziv me të ftuar që të bëjnë emisionin po rrogën e merr prezantuesi -nejse ky është mendim tejet personal se nuk dua të fyej ata që dinë vërtet të jenë Host. Ndërkaq shihja dikë që i kundërvihej e i thoshte që kjo situatë ishte fantastike për të “shpikur” risi’ si për shembull “cocktails delivery” pra “jetë nate kyçur në shtëpi. Teksa pyesja veten pse e kishte kaq të rëndësishme këtë alternativë, përgjigjja më erdhi kur ai tha se merrej pikërisht me këtë punë: ndërtimin e platformave online për “delivery” dhe jo vetëm: për këngëtarë, aktorë etj etj. Pra, po na propozohet jeta online, që të bëjnë para’ edhe ca njerëz të tjerë. Ndërkohë bizneset jo online të vdesin. Pjesë e lojës sigurisht!
Bamirësi për festa! Emigranti nga Suedia ndihmon 7 familje në skamje.
...dhe jo vetëm kaq: Çdo prag festash, Julian Skënderaj rikthehet për të ndihmuar familjet skamnore. Qeveria e përgëzon, besoj me mendje e shpirt se lajmërim zyrtar nuk ka dhe e falënderon që ai bën atë që në fakt vetë qeveria duhet të bëjë. Madje mendohet që do t’i ngarkojnë një zonë më të gjerë për ta administruar në distancë. Fundja dhe deputetët në distancë punojnë. Fundja dhe politikanët tanë si mësuan të punojnë: në kurrizon tonë. Pra Juliani ndihmon familjet, me buxhetin e vet dhe shteti duartroket.
Shënim pa sarkazmë shkëputur nga rrjetet e mia sociale:
Është e kotë të fshihesh brenda një flluske sapuni. Kam bërë sikur nuk kam vënë re kohët e fundit, gjithë çfarë po ndodh, duke i dhënë vetes sadopak mundësi për të ruajtur një lloj ekuilibri emocional që me zor krijohet me kalimin e viteve. Ja që lajmi për humbjen e babait të një miku, vëllait të një profesori, fqinjit në Durrës, sot ish mësueses sime të gjuhës italiane që vinte e më ndiqte në çdo shfaqje e më uronte me aq dashuri, shto këtu aq shumë ikje të tjera të panjohurish, me të cilat ndeshem në rrjetet sociale... po ma bëjnë gjithnjë e më të pamundur këtë “izolim emocional”...
Nuk e di, as sa vlerë ka ta ndash me të tjerë këtë ndjesi’, por le të përpiqemi të bëjmë më të mirën: për veten dhe për tjetrin. Nuk di më...! Nuk na shpëton dot askush tjetër!



