
Ekipet e kërkim-shpëtimit shpresojnë shumë te ‘mrekullia’ për gjetjen e ndonjë të mbijetuari nën rrënojat e pallatit 12-katësh që u shemb para disa ditësh në Miami të SHBA-ve.
Edhe pse kërkimet janë duke vijuar, vështirësitë janë jo të pakta për gjetjen e personave që rezultojnë ende të zhdukur.
Ato janë rreth 151, ndërsa fatkeqësisht, numri i viktimave deri më tani ka shkuar në 11. Autoritetet thonë se zjarri në pjesët e poshtme të pallatit ka vështirësuar shumë punën e tyre, pavarësisht faktit, se në kërkime, janë përdorur një sërë teknologjish të avancuar.

Ekipet e emergjencave amerikane tani janë bashkuar me ekipe nga Izraeli dhe Meksika për të ndihmuar në operacionin e përpiktë, gjatë gjithë ditës.
Makineria ka lëvizur pllaka të mëdha dhe është ndërtuar një hendek me madhësi 125ft (38m) të gjatë dhe 40ft të thellë për t'i ndihmuar ata të zbulojnë ndonjë xhep të mundshëm të ajrit në rrënojat e ndërtesës 12-katëshe.
Qentë dhe pajisjet dëgjuese po përdoren gjithashtu për të kërkuar shenja jete. Por ende, ata nuk kanë zbuluar asnjë të mbijetuar.
Kujtojmë që ndërtesa u shemb të enjten që lamë pas, ndërsa probleme ndërtesa kishte shfaqur që para tre vitesh. Në një raport të publikuar në media, shihej qartë plasaritjet në muret, tavanet dhe kolonat mbajtëse të pallatit.
Autoritetet kishin bërë një plan restaurimi të godinës, por ky plan nuk u vendos asnjëherë në zbatim. Gjithashtu, një ndër masat që pritet të merren së shpejti, është evakuimi i banorëve që banonin në pallatin ngjitur, i njëjtë për nga struktura me atë që u shemb.
Edhe pse ajo godinë nuk ka shfaqur probleme, evakuimi sipas autoriteteve do të bëhet për të shmangur një tjetër tragjedi.



