
Në "MCN Economy" u diskutua për naftën shqiptare, duke parë çmimet e papërballueshme me të cilat po e blejmë sot në treg.
Prof. Dr. Isuf Tushe, në një intervistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpreh rezerva të forta mbi mënyrën si është shpërdoruar kjo pasuri kaq e çmuar e shqiptarëve.
Kritika e profesorit lidhet direkt me paradoksin shqiptar që vendi ka rezerva të mëdha nëntokësore, por qytetarët paguajnë çmime ndër më të lartat në rajon për karburantin.
Nëntoka shqiptare ka shumë rezerva, por Patos-Marinza është burimi që ka rezerva më të mëdha në Shqipëri, dhe është pasuria më e madhe e popullit shqiptar.
Njëkohësisht është një ndër vendburimet më të mëdha unike në Evropën kontinentale.
Vetëm suita Driza është suita më e fuqishme gazmbajtëse në Patos-Marinzë dhe në llogaritjet e fundit është dhënë një shifër rreth 200 milionë tonë ose 2 miliardë fuçi naftë.
Janë shumë, këtu është vetëm në një objekt se Patos-Marinza ka edhe suita të tjera me naftë të lehtë.
Përplasja mes deklaratave të politikës, që shpesh e cilësojnë naftën vendase si jo-cilësore për tregun e konsumit, për prof. Tushen është "propagandë e poshtër".
Këto janë propaganda politike, dhe ajo propagandë që është bërë nga kryeministri dhe ministrat është një propagandë shumë e poshtër.
Të eliminosh sot gjithë atë pasuri natyrore të zbuluar vite e vite me radhë.
Propaganda politike e bën naftën shqiptare jo cilësore, nuk është e vërtetë.
Kemi në Patos-Marinzë, naftën e suitës Marinza, Driza, Kuçova apo Bubullima, janë një mori shtresa të grumbulluara. Kemi gjetur burim të ri në Delvinë, ende i pazhvilluar.



