Në lidhje me paketën e qeverisë antishpifje reagoi sot edhe kryeministri Edi Rama.
Ai pretendon se ky projektligj është konsultuar prej një viti me OSBE-në.
Rama thotë se ata që e kundërshtojnë ose s’e kanë lexuar projekt-ligjin ose duan te tallen me publikun.
“Ose s’e kanë lexuar projekt-ligjin ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale dhe të tallen me të vërtetën e me opinionin publik, duke shkruar çfarë t’u teket, duke shpifur sa e si t’u teket, duke shantazhuar e duke i vënë gjoba kujt t’u teket! Projekt-ligji është konsultuar e përpunuar prej një viti, nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standardeve të lirisë për t’u shprehur e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim, po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet”, shkruan Rama në “Twitter”.
Me gjithë këtë, deri tani një numër i madh i organizatave vendase dhe botërore shprehen se ky projektligj synon të kapë median e pavarur.



