
Presidenti Ilir Meta refuzon Skënder Gjinushin si kryetar i Akademisë së Shkencave. Pasi ka shqyrtuar kërkesën dhe praktikën e përcjellë nga sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave, kreu i shtetit ka refuzuar të dekretojë emërimin e Skënder Gjinushit si kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Si arsyen kryesore të mosdekretimit të Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, presidenti konsideron faktin se Gjinushi ka qenë ligjërisht kryetar i Partisë Socialdemokrate në momentin e shpalljes së kandidaturës dhe për një periudhë disaditore pasi u zgjodh në postin e ri.
Kështu, në bazë të shqyrtimit të provave shkresore të siguruara nga gjykata, Gjinushi rezulton të ketë mbajtur detyrën e kreut të PSD-së deri me 6 qershor 2019, ndërkohë që ai është zgjedhur në krye të Akademisë më 24 maj, përmes një procesi votimi në të cilin ishte kandidati i vetëm.
“Dorëheqja nga funksioni i Kryetarit të Partisë Socialdemokrate e paraqitur nga zoti Skënder Gjinushi më 15.05.2019, nuk është formalizuar me një vendimmarrje ligjore përpara kohës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar të Akademisë së Shkencave në datën 24.05.2019. Rezulton se as organet drejtuese të Partisë Socialdemokrate (Këshilli Drejtues Kombëtar) dhe as Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk kanë marrë një vendim as përpara datës 10.05.2019 apo 24.05.2019 për të pranuar dorëheqjen nga ushtrimi i funksionit të kryetarit të Partisë Socialdemokrate. Rezulton se Këshilli Drejtues Kombëtar i PSD-së, ka shqyrtuar dhe ka marrë vend për pranimin e kërkesës për dorëheqje të Kryetarit në datën 31.05.2019, ndërkohë që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka pranuar këtë kërkesë dhe vendimmarrjen e organeve drejtuese të PSD-së vetëm në datën 06.06.2019. Në këtë mënyrë rezulton që në datën 10.05.2019, kur është bërë shprehja e interesit për kandidim dhe në datën 24 maj 2019, ditë kur janë zhvilluar zgjedhjet për Kryetar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, zoti Skënder Gjinushi, ligjërisht figuron Kryetar i Partisë Socialdemokrate. Kjo pozitë juridike krijon papajtueshmëri të ushtrimit të statusit si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave, çka përbën shkak ligjor ndalues për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur Kryetar i Akademisë së Shkencave”, agrumenton presidenti.



