Një 46-vjeçar që rezultonte në kërkim ndërkombëtar është vënë në pranga nga policia a Tiranës mbrëmjen e së martës.
Ergys Jaupaj është pjesë e listës prej 12 të shumëkërkuarish, që Policia e Shtetit publikoi dy ditë më parë. Jaupaj, 46 vjeç, ishte në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga drejtësia italiane me 10 vite e 8 muaj burg për akuzën e rrëmbimit.
Ai ishte në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2009, kur Gjykata e Romës/Itali, me vendimin gjyqësor të datës 22.09.2009, e ka dënuar me 10 vjet, 8 muaj dhe 20 ditë në burg, për kryerjen e veprave penale të, “Rrëmbimit/heqjes së paligjshme të lirisë”, “Përdhunimit” dhe “Vjedhjes me armë në bashkëpunim”, parashikuar nga Nenet 110, 614, 605, 628, 609, të Kodit Penal italian.
Jaupaj është dërguar në paraburgim, në pritje të nisjes së procedurave të ekstradimit.



