
Bordi i Arsimit në Teksasit votoi të premten futjen e Biblës në shkollat fillore.
Kurrikula e miratuar nga Bordi Shtetëror i Arsimit i Teksasit, i cili kontrollohet nga republikanët, është fakultative për t’u zbatuar nga shkollat, por ato do të marrin fonde shtesë nëse e bëjnë. Materialet mund të shfaqen në klasa duke filluar që nga viti i ardhshëm shkollor.
Kurrikula e re e Teksasit ndjek përpjekjet e udhëhequra nga republikanët në shtetet fqinje për t’i dhënë fesë më shumë prezencë në shkollat publike. Në Oklahoma, shefi i arsimit të shtetit ka porositur një kopje të Biblës në çdo klasë, ndërsa Luiziana dëshiron që të gjitha klasat e shkollave publike të shtetit të postojnë Dhjetë Urdhërimet duke filluar nga viti i ardhshëm.
Me kurrikulën e re, Teksasi do të jetë shteti i parë që do të prezantojë mësimet e Biblës në shkolla në këtë mënyrë, sipas Matthew Patrick Shaw, një asistent profesor i politikave publike dhe arsimit në Universitetin Vanderbilt.
Materiali bazohet në mësime nga krishterimi më shumë se çdo fe tjetër në modulet e propozuara të leximit dhe artit gjuhësor për kopshtin e fëmijëve deri në klasën e pestë, të cilat kritikët thonë se do t’i largonin nxënësit nga prejardhje të ndryshme besimi dhe mund të shkelnin Amendamentin e Parë.



