Pasi i kërkoi prokurorisë të verifikojë të shkuarën e kryebashkiakut të Mallaksatrës, Partia Demokratike thotë se ka provat se Qerim Ismailaj ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
Nga selia blu, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, tha se shumë shpejt PD-ja do provojë për opinionin publik se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe në bazë të ligjit të dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik.
“Sot PD i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës kriminale të Edi Ramës së Mallakastrës. Sipas të dhënave të mbledhura nga PD, Qerim Ismailaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit të kandidimit për një post publik.
Ky është rasti i katërt pas atij të Shkodrës, Vorës dhe Vau të dejës që konfirmon se Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit të organizuar. Si të tjerët dhe Ismailaj u përbetua se nuk ka pasur probleme në Greqi. Ky është mashtrim. Ai njëlloj si Edi Rama e di se është i dënuar në Greqi. PD po punon dhe shumë shpejt do provojë për opinionin publik se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe në bazë të ligjit të dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik”, deklaroi Bardhi.



