Një krim makabër është zbuluar rastësisht nga një endacake ditën e sotme në Romë. Gruaja ka qenë duke kërkuar në kazanët e mbeturinave në lagjen Parioli të kryeqytetit italian, kur ka parë një këmbë njeriu. Pas denoncimit, policia ka nisur kërkimet në kazanët e mbeturinave dhe ka gjetur pjesë të tjera të trupit të një gruaje në një kazan tjetër të lagjes.
Sendet personale dhe veshjet e viktimës janë gjetur në një kazan të tretë në rrugën “Pannini”.
Policia ka marrë në pyetje vëllanë e viktimës, një 60-vjeçar italian, i cili është kapur nga kamerat e rrugës teksa hidhte një thes në koshin e mbeturinave mesnatën mes datës 14 dhe 15 gusht.
Policia vijon hetimet dhe nuk ka bërë të ditur asnjë detaj. Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se nuk përjashtohet mundësia që vëllai i viktimës, që deri tani është i dyshuari kryesor, të ketë probleme mendore.



