Alket Rizai tërheq sërish vëmendjen e medias, por kësaj radhe jo me një tentativë për arratisje nga burgu. Shqiptari që vuan dënimin në një prej burgjeve greke i është përgjigjur thirrjes për ndihmë të një vajze 8-vjeçare greke, e cila vuan nga kanceri.
Thirrjes së familjes së vajzës për ndihmë financiare që do t’i jepte mundësinë e trajtimit në një klinikë të specializuar në Londër, i janë përgjigjur mijëra njerëz.
Por pjesë e atyre që kanë dhënë kontributin e tyre për të mbledhur shumën e kërkuar është edhe Alket Rizai, i cili ka organizuar në burg një mbledhje fondesh.
Ky fakt është publikuar në edicionin kryesor të lajmeve të televizionit të Kretës, ku u zbulua se Rizai i kishte telefonuar babait të vajzës për ta njoftuar për shumën e mbledhur nga të burgosurit.
Alket Rizai vuan dënimin në një burg grek. Emri i tij ka qenë shpesh titujt kryesorë të mediave greke dhe më gjerë për shkak të disa tentativave spektakolare për arratisje nga burgu.



