Mjeku Kita Sallabanda nuk pret një valë të dytë agresive të koronavirusit. Në një lidhje me Skype me studion e lajmeve në TvT, Sallabanda, i cili ka punuar në vijën e parë kundër koronavirusit në spitalin universitar të Madridit, tha se shifrat po tregojnë gjithnjë e më shumë dobësimin e virusit.
“Virusi ka humbur virulencën. Ka disa studime që thonë se virusi është plakur. Kjo po vërtetohet nga shifrat. Ka një grup mjekësh që mendojnë se do të ketë një valë të dytë në vjeshtë. Një grup tjetër thonë se edhe nëse ka, do të jetë e dobët. Unë mendoj se duke jetuar me ne, virusi do të zhduket pak nga pak”, tha ai.
Reagimin e OBSH-së lidhur me shpërthimin që më pas u kthye në pandemi, Sallabanda e sheh të vonuar. Megjithatë, ai shton se kjo ka ardhur për shkak të njohurive të pamjaftueshme të komunitetit shkencor përballë një virusi të ri.
“OSHB nuk reagoi në kohën e duhur. Duhej të reagonte më parë. Kjo vjen ngaqë ne mjekët nuk e njohim në tërësi këtë virus. Jemi në fazën e studimit, prandaj mund të ketë gabime”, tha ai.
Lidhur me përdorimin e hidroksiklorokinës në trajtimin e të sëmurëve me Covid-19 dhe efektet anësore të evidentuara në një studim në “Lancet”, që çoi në pezullimin e përdorimit të saj si medikament, Sallabanda tha se rezulatet në Spanjë treguan të kundërtën.
“Metodika e studimit ishte e gabuar. Mbledhja e të dhënave ishte komplekse dhe e ndryshme nga nje qendër në një tjetër. Në Spanjë e përdorim dhe në një grup pacientësh ka dhënë rezultate pozitive. Studimi i Lancet u ndërpre për çështje të metodologjisë”, tha ai.



