Një ngjarje tragjike është shënuar mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd, pranë fshatit Hotolisht, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi automjeti që drejtonte u godit nga një gur i shkëputur nga shpati i kodrës.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 22:30, një gur është shkëputur nga shpati pranë rrugës dhe ka rënë mbi automjetin tip "Benz", që drejtohej nga Arjan Hoxha, 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan, Elbasan.
Goditja ka qenë fatale, duke dëmtuar rëndë automjetin dhe duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme drejtuesit të mjetit.
Për nxjerrjen e trupit të pajetë është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat kanë përdorur pajisje prerëse për të hapur karrocerinë e automjetit të shkatërruar.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.
Shkaqet që çuan në shkëputjen e gurit nga shpati i kodrës mbeten ende nën hetim, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve hetimore.



