
Teuta ka zhgënjyer në ndeshjen e parë në eliminatoret e Champions League, teksa është mposhtur me shifrat e thella 4-0 nga moldavët e Sheriff Tiraspol. Këta të fundit u shfaqën dominues në të dyja pjesët e lojës në “Niko Dovana” duke realizuar nga dy gola për pjesë.
Në pjesën e parë ishte Henrique që realizoi dy herë në minutat 15 dhe 46. Edhe në të dytën skuadra e Martinit u shfaq e pafuqishme për të reaguar, teksa u ndëshkua edhe dy herë te tjera nga Traore në minutën e 56-të dhe Castaneda në minutën e 89-të.
Kështu skuadra e Martinit është me një këmbë jashtë, teksa përmbysja në ndeshjen e kthimit pas një jave në Moldavi duket thuajse e pamundur.



