Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani do t’i kërkojë KLD-së të shkarkojë gjyqtaren e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi e cila i njohu të drejtën e pronës familjes Seçuni për 45 ha tokë, truall ku do të vendoste investimin biznesmeni libanez, Faadi Mitri, administratori i Grupit OMNIX në Shqipëri.
Para gazetarëve, Manjani bëri publike rezultatet e hetimit administrativ ku rezulton: “Kemi përgjegjësi të rëndë ligjore që nis nga gjykata e Durrësit. Ajo ka gabuar shumë rëndë proceduaralisht. Kam vendosur të nis procedim disiplinor për shkarkimin e gjyqtares në KLD. Është vendim shumë i rëndë me një pasojë shumë të rëndë. Shkelja e ligjit cënon rëndë figurën e gjyqtarit.Gjykata bëri gabim që injoroi zyrën e kthimit të kompensimit të pronave. Vendimi nuk duhej dhënë nga një gjykatës por nga trupë gjyqësore prej tre gjykatësish”.
“Kompania OMNIX ka filluar përpjekjet e saj në Shqipëri që në vitin 2008. Ka prova të faktuara tashmë se këtë vit kjo kompani ka blerë rreth 200 mijë metra katrorë tokë nga pronarët legjitimë dhe 200 mijë të tjerë i ka marrë me qera nga Drejtoria Pyjore për të ndërtuar një resort turistik. Leja e ndërtimit është lëshuar vetëm në korrik 2016 kur qeveria vendosi ta çlirojë zonën nga fondi pyjor”, tha Manjani.
“Paralelisht, pra në 2015, nga familja Selçuni, është depozituar në Gjykatën e Durrësit një padi, kthimi i një sipërfaqeje toke në Gjirin e Lalzit, 45 mijë metra katrorë, ku 40 mijë korrespodonin në tokën që kompania kishte marrë nga Drejtoria Pyjore me qera. Ky ishte pretendimi dhe sipas parashtrimit të fituesit, nëse dikush mban një pasuri për 20 vjet duhet ta marrë atë dhe ky ishte pretendimi që u paraqit. Gjykata ka bërë rreth 12 seanca dhe ka marrë vendim, ia njeh pronën familjes Selçuni dhe tokën që i ishte dhënë ndërtuesit, t’ia japë ndërtuesit të ri”, shtoi Ministri Drejtësisë.
“Një fakt tjetër është se familja Selçuni ka kërkuar kthimin e tokës por ka marrë gjithmonë refuzim se nuk kishte dokumentacion ligjor se ishte pronare. Ata kanë shkuar në gjyq dhe gjykata ka dhënë atë vendim që ka dhënë. Vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë në shtator 2016 dhe nuk është ankimuar. Në fakt, zyra vendore e ZRPP nuk e ka regjistruar këtë vendim pikërisht për këtë arsye, që do të krijohej mbivendosje se i ishte dhënë dikujt tjetër për zhvillim. Me këto fakte që kemi provuar rezulton se kemi përgjegjësi shumë të rënda ligjore duke filluar nga Gjykata e Durrësit”, shton Manjani.
“Gjykata e Durrësit ka gabuar proceduralisht dhe në substancë dhe ka thirrur në gjyq vetëm bashkinë që nuk kishte përgjegjësi direkt. Gabimi i Gjykatës ishte se nuk thirri asnjëherë as ZRPP dhe as Drejtorinë Pyjore që e kishte dhënë me qira. Si është e mundur që një çështje e tillë me vlerë ka të madhe të gjykohej nga një gjykatëse?! Duhej të ishin tre gjykatës minimalisht. Rezulton se gjykata nuk ka qenë e bindur me ligj dhe fakte se personi që e ka marrë i takonte; mund t’i takonte për arsye tjetër po jo me parashtrim fituesi”, tha Manjani.
“Nuk mund të shkohet në vendim gjyqësor pa u thelluar më parë. Ka dështuar gjykata ta bëjë këtë gjë dhe sigurisht nuk lihet pa përgjegjësi as Bashkia e Durrës dhe as Avokatura e Shtetit. Ato duhet ta kishin ankimuar. Nëse Gjykata ka bërë gabim që e ka shkelur ligjin, ai vendim është në fuqi se nuk është ankimuar. Kam vendosur të filloj procedim disiplinor për shkarkim të gjyqtaren në KLD dhe pasi të fillojnë procedurat ligjore. Nuk kam asnjë arsye të tërhiqem nga kjo ankesë si një rast që nuk duhet të ndodhë më. Nëse biznesi në këtë vend trembet nga nga kjo, nuk duhet të ndodhë. Gjyqtarja rezulton si e vlerësuar pozitivisht në vite, por kjo është një çështje e rëndë dhe kam vendosur të kërkoj shkarkim në KLD”, vijoi Manjani.
“Së dyti, kam kërkuar dhe kërkoj nga Avokatura e Shtetit që të thellojë analizat. Avokatja e Shtetit është e shkarkuar. Kërkesa e tretë është për Prokuron e Shtetit që ta hetojë çështje dhe do të pres përfundimin e hetimeve. Kjo çështje meriton vëmendje të jashtëzakonshme dhe reagim profesional. Nuk ndërhyjmë në vendimin e gjykatës, pork y është rasti tipik kur Ministri i Drejtësisë duhet të reagojë në favor të interesit publik”, nënvizoi Manjani.



