Mjeku Adrian Fandi duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV këshilloi prindërit në Shqipëri që të mos trajtojnë me antibiotikë fëmijët që ditën e parë. Fandi theksoi se është mjeku që duhet të vendosë nëse një pacient duhet të marrë antibiotik, dhe jo farmacisti pa recetë. Ai vuri në dukje se ka një problem me kulturën e vendeve të Europës së Jugut, të tilla si Shqipëria, Greqia, apo Jugu i Italisë.
“Është një rritje si pasojë e abuzimit të popullatës dhe mjekëve që përdorin antibiotikët. Është edhe kultura e njerëzve, në Greqi dhe Shqipëri mund të blesh një antibiotikë pa recetë. Nuk ke nevojë të marrësh gjilpërë për një virozë. Antibiotiku i duhur duhet të vendoset nga mjeku, jo nga pacienti. Problemi është i kulturës së popujve të Europës së Jugut, që kanë këtë kulturë të përdorimit të antibiotikëve. Duke e përdorur gjithmonë e më shumë këtë antibiotikë, bakteret që duan të mbijetojnë përshtaten ndaj këtyre antibiotikëve dhe rrisin rezistencën. Në qoftë se një fëmijë ka temepraturë një dy ditë, është mjeku që vendos nëse ka nevojë për antibiotik apo jo. Të paktën duhet të presim tre ditë, pastaj nis antibiotiku nga goja. Pacientët revoltohen me farmacistin përse nuk i jep antibiotikë. Ligji e ndalon që farmacistët të shesin antibiotikë pa recetë.
Fëmijët ndeshen me infeksione të ndryshme. Nëse bakteri që ka krijuar rezistencë ndaj antibiotiku, ky bakter s’mund të luftohet me antibiotikë normal. Antibiotikët specialë jepen vetëm me autorizimin e mikrobiologët. Imuniteti i fëmijëve kalitet gjatë verës, gjatë plazhit. Këshilloj prindërit që të mos kërkojnë antibiotikë që ditën e parë, të presin dy tre ditë”, tha Fandi.



