
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e së premtes ka njoftuar për problematikën me të cilën po ballafaqohet në prag të zgjedhjeve të përkohshme në Kosovë.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, ka sqauruar se Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka bllokuar procesin e tenderit për prodhimin e vulave.
Sipas tij, problem duhet të zgjidhet sa më pare, pasi që nuk ka kohë të pritet deri në shqyrtimin e ankesave nga ofertuesit e tjerë, pasi që KQZ-ja ka ofertuar çmimin më të ulët.
“Kemi marrë kontaktet me OShP-në, e ata kanë lëshuar një masë të përkohshme për pezullimin e aktivitetit. Në këto kushte u kemi shkruar atyre letër dhe kemi kërkuar takim me ta. I kemi shpjeguar për rëndësinë e vulës në proces zgjedhor. Kanë aplikuar 3 operatorë ekonomikë pasi që janë plotësuar të gjitha kriteret sipas dosjes tenderike. Ne kemi shkuar me çmimin me të ulët që është 14 mijë euro, mendojmë se është e drejtë sepse çmimi i lirë është edhe kriter ligjor. Ata kanë nxjerrë masë të përkohshme dhe ne nuk mund të procedojmë më tutje sepse për prodhimin e 3 mijë vulave duhet kohë”, është shprehur kryeshefi ekzekutiv i KQZ.
Anëtarët e KQZ, kanë ngritur shqëtësimin e tyre përkitazi me këtë problem, dhe se sipas tyre duhet zgjidhje e menjëhershme.
Anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti, ka bërë apel që këto probleme të shqyrtohen sa më shpejt pasi që nuk ka kohë.“Bëj apel nga KQZ-ja me shqyrtuar shpejt, sepse jemi në një situatë të keqe”, tha ai.
Kryeshefi i KQZ, u shpreh se në këtë situatë është dashur të shkohet me procedurën e negocimit e jo menjëherë me ofertë.
Anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi, tha se ofertuesi nuk i intereson askujt, por se vulat janë të domosdoshme dhe shumë të ndjeshme në procesin e votimeve.
KQZ-ja në këtë mbledhje, ka akredituar edhe 1351 vëzhgues të tjerë duke përfshirë ambasadat, OJQ-të e TV, në vendvotime.



