Mbledhja e dy qeverive shqiptare, e planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë, nuk do të mbahet. Ka qenë kryeministri Rama ai që ka njoftuar vendimin e tij për të anuluar udhëtimin e tij dhe të kabinetit drejt Kosovës nesër. Rama e motivoi këtë vendim me mosdakordësinë me homologun e Kosovës në lidhje me një takim të veçantë lidhur me krizën në veri. Është një komunikim i jashtëzakonshëm i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë. E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. I kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në një format më të ngushtë, me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes për të diskutuar për këtë situatë që po çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme ku kjo e fundit ka vënë gishtin në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë. Për fat të keq nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë dhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Kam bërë një përpjekje për t’u kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë. Por nëse nuk e shfrytëzojmë dot për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani që është realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje. Rama e cilësoi gjykim të gabuar strategjik qëndrimin e deritanishëm të kryeministrit Kurti. Sipas tij, Kosova po shkon drejt një përplasjeje dramatike me bashkësinë euro-atlantike.



