Eksperti i ekonomisë Gjergj Buxhuku tha në “Mcn Economy” se zhvillimi i shpejtë i sektorit të turizmit dhe ndërtimit, s’i kanë dhënë kohë sistemit profesional për t’u përshtatur lidhur me punonjësit.
Megjithatë ai vuri në dukje se një punonjës shqiptar, kur i ofrohen mundësi më të mira në një vend tjetër, është e natyrshme që do largohet.
“Tregu i punës është nga tregjet kryesore që përcaktojnë zhvillimin e ekonomisë. S’është dukuri e re, tani është bërë më e dukshme. Dy shtylla janë kryesoret, e para është fakti që tregu i punësimit është si enët komunikuese, kur ty të ofrohet një mundësi më e mirë, çdo njeri do bëjë zgjedhjen e arsyeshme, do largohet.
Nga ana tjetër është fakti që ka mjaft biznese, sidomos në industri, ku edhe të duash të punosh, s’i plotësojnë kushtet profesionale, kjo vjen nga dobësia nga bashkëlidhja e sistemit arsimor profesional me nevojat reale të tregut të punës.
Kanë rënë disa degë të industrisë, dhe janë ngritur disa sektorë si turizmi, ndërtimi, që janë ngritur shumë shpejt, dhe s’i kanë dhënë as kohë sistemit profesional për t’u përshtatur me zhvillimin e degëve të reja. Një punëtor shqiptar i pakualifikuar që ka mundësi të punojë në Gjermani, natyrisht do zgjedhë Gjermaninë, përballë punës në Shqipëri”.
Buxhuku tha se shteti shqiptar ka hyrë në bisedime zyrtare me shtete që mund t’i sigurojnë krahun e punës, dhe pritet të vijnë 40 mijë shtetas të huaj nga Indonezia dhe Filipinet.
“Shqipëria s’mund të bëj përjashtim nga shtetet e zhvilluara. Në Francë, Britani në shumë sektorë nuk gjen vendas. Ka shtetas që pranojnë të paguhen më pak, të jenë me kosto më të ulët, dhe janë të mirëpritur. Në bazë të informacionit që na ka ardhur nevojat janë të mëdha.
Shteti shqiptar ka hyrë në bisedime zyrtare me shtete që mund t’i sigurojnë krahun e punës, që mos ua lëmë më përçapjeve individuale. Përllogaritet një shifër 40 mijë shtetas të huaj nga Indonezia dhe Filipinet, që parashikohen të vijnë në mënyrë të rregullt në Shqipëri”.



