
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëron dërgimin e forcave të KFOR-it në veri të Kosovës, nëse situata tensionohet.
Pas takimit të mbajtur sot në Bruksel, me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, Stoltenberg zbuloi se diskutuan lidhur me tensionet e javëve të fundit në veri të Kosovës.
Sipas tij, ndërsa situata është përmirësuar, është përgjegjësi e zyrtarëve në Prishtinë dhe Beograd që të shmangin përkeqësimin.
KFOR vazhdon të jetë i fokusuar në mandatin e vet dhe është gati të ndërhyjë dhe të marrë masa që të sigurojë një mjedis të qetë dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Prania jonë ndihmon në stabizilim dhe për të ndaluar përshkallëzimin e situatës. Dialogu është e vetmja e zgjidhje.
Mirëpres raundin e ri të dialogut që fillon nesër dhe bëj thirrje tek palët që të jenë konstruktive.
Nga ana e tij Vuçiç deklaroi se ditën e nesërme do të ketë bisedime të vështira me Kosovën, për shkak të mungesës së dakordësisë mes palëve.
Serbia është e gatshme të respektojë të gjitha traktatet që ka nënshkruar, duam të shmangim çdo përshkallëzim të mundshëm me NATO-n: besojmë se nuk kemi shkaktuar asnjë provokim.
Për 180 ditë na kanë akuzuar për përgatitjen e aksioneve ushtarake, por asgjë nuk ka ndodhur. Ne kemi nevojë për një qasje racionale, negociata, kompromise. Dhe ne jemi gati.
Pas takimit me Vuçiçin, Stoltenberg do të bisedojë edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.



