Pas vrasjes së gjyqtares së Shkodrës Fildes Hafizi nga ish-burri i saj, një tjetër rrëfim i dhimbshëm vjen nga një grua. JOQ ka publikuar sot historinë e një gruaje nga Fushë-Kruja, e cila ka frikë për jetën e saj dhe të fëmijëve.
“Para një muaj jeta ime u rrezikua, pasi ish-bashkëshorti im u përpoq të më vriste. Tani gjendet i lire, duke u bërë një kërcënim serioz për mua dhe fëmijët e mi”, -ka shkruar gruaja për JOQ.
Shifrat tregojnë se me qindra gra dhunohen verbalisht dhe fizikisht nga burrat e tyre dhe nuk kanë qenë të pakta rastet, kur edhe pse kanë qenë nën urdhrin e mbrojtjes kanë gjetur vdekjen.
“Jam dhunuar tetë vite rresht. Edhe mua edhe fëmijët na dhunonte si verbalisht dhe fizikisht. Më kanë kërcënuar edhe dy vëllezërit dhe babai i tij se do më vrasin”,- ka treguar më tej gruaja”, pohoi ajo.
Rrëfimi i kësaj gruaje është i mbushur me dhimbje dhe frikë. Ajo tregon mes rreshtash se si burri ka shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe është lënë i lirë.
“Nuk dua të kem fatin e të ndjerës Fildes Hafizi. Ai është në kërkim po nuk dorëzohet pa më vrarë mua dhe fëmijët e mi. Prindërit dhe vëllezërit e mbështesin, po jetoj me frikë se do më vrasi në mes të rrugës”, – ka përfunduar gruaja.



