
Çështja e Kosovës dhe Serbisë është temë dikutimesh jo vetëm në zyrat e BE, por edhe e diplomatëve që kanë shërbyer në Beograd dhe janë në brendësi të çështjeve dhe problematikave mes dy vendeve.
Ish-ambasadori i SHBA-ve në Serbi, William Montgomery, ka deklaruar se kompromisi për Kosovën është i mundur vetëm përmes një marrëveshje të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Prishtinës, por ai nuk është optimist për këtë çështje.
“Mendimi im personal është se, në qoftë se do të ketë një zgjidhje kompromisi, atëherë ajo do të jetë një rezultat i drejtpërdrejtë i një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Montgomery për mediat serbe, shkruan Telegrafi.
Në këtë drejtim, ai sheh katër skenarë të mundshëm për Kosovën.
E para, thotë ai, është një vazhdim i situatës aktuale, e cila në fund të fundit do të përdoret si një arsye për bllokimin e pranimit të Serbisë në BE.
E dyta, shton Montgomery, është normalizimi i marrëdhënieve pa njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga pala serbe.
Skenari i tretë është se në fund të procesit, para Serbisë do të vendoset zgjidhja “merre ose lëre”, “e pranoni pavarësinë e Kosovës dhe do të hyni në BE, ose refuzoni një gjë të tillë dhe nuk do të jeni pjesë e saj.
Dhe skenari i katërt i mundshëm, sipas tij, është që lidershipi serb dhe kosovar të arrijnë një marrëveshje dypalëshe, në të cilën do të ketë elemente që komuniteti ndërkombëtar nuk do t’i pëlqente.



