Ndryshimet që do t’i bëhen Kushtetutës ruse përfshijnë edhe referencën ndaj Zotit. Të gjitha ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen nga një grup pune, që në fund do të dalë me një opinion përfundimtar. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i Presidencës Ruse, Dmitry Peskov.
“Diskutimet po vijojnë brenda këtij komisioni [grupi i punës për zhvillimin e ndryshimeve kushtetuese]. Anëtarët e komisionit janë të shumëllojshëm, shprehin pikëpamje të ndryshme dhe parashtrojnë propozime të ndryshme, kështu që kjo [në lidhje me një referencë për Zotin] gjithashtu do të diskutohet”, tha zëdhënësi i Kremlinit.
Sipas tij, "detyra e komisionit është të vlerësojë të gjitha propozimet dhe ndryshimet dhe të zhvillojë një këndvështrim të konsoliduar nëse ato janë relevante apo jo".
Të shtunën, kryetari i Departamentit Sinodal të Patriarkanës së Moskës për Marrëdhëniet me Publikun, Vladimir Legoida, i shkroi “Telegraf”-it se gjatë një lutjeje kushtuar 11-vjetorit të kurorëzimit të Patriarkut Kirill të Moskës dhe gjithë Rusisë, kreu i Kishës Ortodokse Ruse bëri thirrje për lutje që referenca ndaj Zotit të përfshihet në Kushtetutë. Sipas patriarkut, kjo do të pasqyronte besimin e shumicës së popullit rus.



