
Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 73 të tjerë janë plagosur pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në Turqi.
Ngjarja ndodhi në provincën e Tekirdrag-ut, në veriperëndim të vendit.
Lajmin e bën të ditur Ministria e Shëndetësisë në Ankara.
Dhjetëra autoambulanca dhe ekipe të ndihmës së shpejtë janë në vendin e ngjarjes.
Treni i linjës Edirne-Stamboll ishte nisur në orën 15:45 me 362 pasagjerë në bord. Sipas ministrisë turke të Transportit, nga binarët kanë dalë plotësisht vagonët 5 dhe 6.
Zona ku ndodhi aksidenti është tokë e butë, kushtet e të cilës janë përkeqësuar pas shirave të ditëve të fundit. Sipas mediave lokale, shkak për aksidentin hekurudhor mund të jetë bërë një rrëshqitje e tokës në zonën ku kalojnë shinat.



