Të paktën 50% e bimëve aromatike në territorin grek në kufi me Shqipërinë mblidhen nga shqiptarët. Mediat greke shkruajnë se shqiptarët hyjnë në mënyrë të paligjshme në livadhet alpine të Gramozit prej disa vitesh.
“Ata hyjnë në mënyrë të paligjshme me mushka, gomerë dhe kuaj. Pari “rruajnë” çfarë gjejnë përpara: bimë të rralla aromatike dhe mjekësore, kthehen në shtëpi”, ka thënë për “Elefterotipos” Nick Panagiotopulos, zv.kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Mjedisit në Kostur.
Sipas tij, shqiptarët janë të organizuar në grupe dhe punojnë kryesisht për kompanitë e mëdha shumëkombëshe të prodhimit të kozmetikës dhe ilaçeve, me bazë në Itali dhe Gjermani.
“Ata i kanë shfarosur këto bimë në territorin e tyre. Dhjetë vitet e fundit, në mënyrë sistematike nga marsi në gusht, ata hyjnë në livadhet alpine të Gramozit dhe mbledhin bimë të tilla. Ne kemi kapur kontrabandistë të tillë me gomerë të ngarkuar me 5 thasë secili. Imagjinojini përmasat e katastrofës mjedisore”, thotë ai duke shtuar se edhe mes vetë shqiptarëve ka konkurrencë për mbledhjen e këtyre bimëve. Kjo bën që ata të vihen në garë kush shkon i pari për të mbledhur, duke i dëmtuar bimët e duke i këputur pa u pjekur ende.



