
Mirdita synon rikthimin në kufijtë e saj natyrorë, të cilët iu hoqën gjatë periudhës së komunizmit.
Nisma e fundit e Bashkisë Mirditë është adresimi i një kërkese për ribashkimin e territorit në Komisionin për Reformën Territoriale.
Kryetari i bashkisë, Albert Mëlyshi, në një komunikim për “MCN Live”, u shpreh se rreth 70 vite më parë Mirditës iu hoqën padrejtësisht rreth 840 km² territor, të cilat u ndanë dhe iu bashkëngjitën njësive të tjera.
Kjo ndarje është bërë gjatë regjimit komunist me qëllim dobësimin dhe fragmentarizimin e zonës, duke shpërndarë territore të saj në qarqe të ndryshme si Puka, Kukësi, Lezha dhe Mati.
Reforma territoriale është një diskutim i gjerë, që nuk lidhet vetëm me hartën, por edhe me funksionimin e njësive vendore, financat dhe organizimin e tyre.
Megjithatë, ne jemi ndalur te kërkesa për korrigjimin e një padrejtësie historike që i është bërë Mirditës prej 70 vitesh,
Kërkesa për ribashkim vjen edhe si rezultat i kërkesave të shumta të banorëve që jetojnë në këto territore, të cilët ndajnë të njëjtën përkatësi etnografike, dialektore dhe kulturore.
Bëhet fjalë për territore që kanë qenë historikisht pjesë e Mirditës.
Banorët ndajnë të njëjtin identitet, gjuhë dhe tradita, çka e bën të natyrshëm bashkimin e tyre në një njësi të vetme vendore.
Kryetari Mëlyshi nënvizoi se, ashtu si politika i ndau këto territore gjatë komunizmit, sot është po politika ajo që duhet të ndërmarrë hapin për t’i ribashkuar.
Apelojmë që Komisioni për Reformën Territoriale të dëgjojë komunitetet dhe grupet e interesit, duke theksuar se vendimmarrja duhet të bazohet në vullnetin e banorëve dhe realitetin historik e shoqëror të zonës.
Sot është po politika ajo që duhet të ndërmarrë hapin për t’i ribashkuar.



