
Prurjet me intensitet të lartë të reshjeve të shiut kanë shkaktuar problematika në të gjithë vendin ditët e fundit, por Gjirokastra është qarku më i prekur.
Lidhur me situatën në një lidhje skype për edicionin e lajmeve prefekti i Gjirokastrës Odise Kote tha se në 24 orët e fundit për shkak të reshjeve të dendura të shiut ka pasur disa problematika si niveli i ujit ku në Lumin Vjosë, që ka arritur 6 metra nga 8 metra që është pika kritike. Problematike po ashtu sipas tij ka qenë situata në tregun industrial, spitali rajonal po ashtu ka pasur rrezik përmbytje, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike ku për pasojë humbi jetën dhe një vajzë 12-vjeçare.
Kote po ashtu theksoi se shtabi i emergjencave ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatave.
Intervista:
Z. Kote, a mund të na thoni, cilat janë zonat më problematike aktualisht në qytetin tuaj?
Kote: Në qarkun e Gjirokastrës prej 24 orësh ka reshje të dendura shiu. Shtabi i emergjencës në 7 bashki ka qenë në krye të punës, autoriteti rrugor, policia, bordi i kullimit dhe të gjitha faktorët që lidhen me emergjencat civile. Ka rënë niveli i ujërave, nuk ka rrugë të bllokuara, as në zonat rurale. Kemi disa problematika, duke filluar nga niveli i ujit ku në Lumin Vjosë është 6 metra nga 8 që është pika kritike, nëse tejkalohet kjo pikë jemi në faza kritike. Kemi një numër të madh përrenjsh që prej 24 orëve. Janë përballuar me forcat e bashkive. Kemi pasur një situatë problematike në tregun industrial të qytetit, është një problem i mbartur. Kemi pasur një problematikë tek spitali rajonal ku kati gjysmë i parë ka qenë gati të përmbytej, por ndërhyrja e menjëhershme ka bërë që të shpëtohet përmbytja e laboratorëve. Kemi pasur dhe një fatkeqësi të asfiksisë së një vogëlusheje 12-vjeçare. Kemi pasur probleme me furnizimin me energji elektrike për shkak të motit. Janë riparuar një pjesë e defekteve, por ka ende problematika. Po përpiqemi të stabilizojmë situatën.
Z. Kote, çfarë masash janë marrë nga dita e djeshme dhe në vazhdim për përballimin e situatës?
Kote: Sigurisht shtabi i emergjencave ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatave. Një pjesë e problematikave janë të mbartura dhe e kam fjalën për rrjetin e shpërndarjes së energjisë. Ne po punojmë me pastrimin e kanaleve kulluese, kemi siguruar borëpastruese dhe besoj do të mund të përballojmë situatën.



