
Me 62 vota pro dhe 46 kundër, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi të dielën vonë Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Votimit i parapriu një debat dyditor që përfundoi para mesnate.
“Konstatoj se Kuvendi zgjodhi Qeverinë e re. Për kryetar të Qeverisë është zgjedhur Dimitar Kovaçevski”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Kjo është përbërja e kësaj qeverie në Maqedoninë e Veriut:
Përbërja e qeverisë ka emrat e ministrave nga LSDM, BDI, PLD dhe Alternativa.
Dikasteret janë në përputhje me përgjegjësitë e marra në qeveri dhe në përputhje me Programin e Qeverisë, ndërsa programi është vazhdimësi e legjitimitetit zgjedhor të fituar në zgjedhjet e vitit 2020, duke inkorporuar angazhimet ekonomike të partnerit të ri të koalicionit Alternativa, si dhe synimet e reja programore që dolën nga sfidat e reja me të cilat do të përballet kjo qeveri, kishte deklaruar mandatari për formimin e qeverisë Dimitar Kovaçevski.
Dimitar Kovaçevski do të zëvendësojë në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ish-kryeministrin Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen për shkak të humbjes së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021.
Qeveria e re ka mandat deri në vitin 2024, pasi paraqet vazhdimësi të Qeverisë së ish-kryeministrit, Zoran Zaev, që ishte zgjedhur në vitin 2020.



