Gazetari Klodian Tomorri deklaroi në studion e emisionit “MCN Economy” se takimi i kreut të KLSH-së me drejtuesin e SPAK është një show qesharak dhe se nuk i shërben rritjes së eficensës ndaj luftës së korrupsionit.
I ndalur dhe tek skandali në Ministrinë e Financave, Tomorri tha se është një dështim që afera u zbulua nga një bankë e nivelit të dytë dhe jo nga struktura e brendshme e institucionit.
Duke vijuar më tej, Tomorri theksoi se vetëm drejtuesi i auditit të brendshëm ka qenë në dijeni të kësaj historie.
Është show qesharak, vazhdimi i një historie qesharake që ka vite që bëhet në Shqipëri me nënshkrime marrëveshjesh, është e pa konceptueshme. Nuk ka nevojë të takohet kreu i KLSH me drejtuesit e SPAK që të bëhen hetime të thelluara për të gjetur korrupsionet. Janë institucione të detyruara të bëjnë punën e tyre, KLSH duhet të gjejë parregullsitë dhe SPAK duhet të vazhdojë aspektin penal, e quaj show qesharak. As kreun e KLSH dhe as të SPAK nuk i ka manduatuar njeri të bëjnë PR dhe nëse institucionet kanë nevojë për shkëmbim informacioni ndodh automatikisht . Ça do të thotë po thellojmë bashkëpunim? KLSH ka detyrim të kallëzojë çdo parregullsi që konstaton gjatë aktivitetit auditues. Ky takim nuk i shërben rritjes së eficensës ndaj luftës së korrupsionit.
Është dështim fakti që gjitha afera u auditua nga një bankë e nivelit të dytë, është dështim i strukturave audituese në Ministri. Nuk kishte nevojë as për kontroll të thelluar, madje nuk ka qenë as sekret në ministri. Vetë drejtuesi i auditit të brendshëm e ka ditur këtë histori. Është dështim i strukturave të auditit të brendshëm. Së dyti dështim i KLSH-së, edhe pse ky institucion mund të justifikohet se nuk ka ushtruar auditim në këtë periudhë.
Raportet paraprake të kontrolli që hartohen nga KLSH bëhen të forta dhe pasi çohen për rekomandim zbuten. Ka pasur akuza se raportet zbuten pasi lëvizin gjëra.
Kemi nivel të lartë korrupsioni dhe korrupsioni e frenon rritjen ekonomike. Fakti që prej 15 vitesh e kemi rritjen mesatare në nivelin 2.5% është dhe si pasojë e korrupsionit të lartë.



